Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta duke përshëndetur nga foltorja e Kuvendit të Malit të Zi, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, deklaroi se ndihet i nderuar të mbajë fjalimin e parë në gjuhën shqipe.
Gjatë fjalës së tij, Meta deklaroi se Shqipëria i çmon marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjin tonë Malin e Zi, të cilave shpeshherë të tjerët u referohen si një model të fqinjësisë së mirë dhe të mbarëvajtjes së marrëdhënieve në rajonin tonë të Ballkanit.
“Për mua personalisht, është një kënaqësi e madhe që më jepet mundësia dhe nderi të mbaj fjalimin e parë në gjuhën shqipe, në përurim të sistemit të përkthimit të përhershëm simultan në gjuhët shqip dhe malazeze (dhe anasjelltas) i cili do të përdoret gjatë zhvillimit të seancave parlamentare në Malin e Zi. Ky është një hap vizionar dhe një gjest domethënës që duhet përshëndetur, ndaj në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’ju falenderoj, t’ju përgëzoj e t’ju uroj sa më shumë suksese në realizimin e vizionit tuaj për një Mal të Zi sa më modern e të integruar në strukturat euro-atlantike”- tha Meta.
Duke kujtuar ratifikimin e protokollit nga Kuvendi i Shqipërisë për aderimin e Malit të Zi në NATO, Meta theksoi se “aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit tonë, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stabilitetit për gjithë Evropën Juglindore”.
Por gjatë vizitës së kryeparlamentarit Meta në Malin e Zi, deputetët e Demokracisë së re Serbe kanë protestuar me pankarta.
“Populli i Malit të Zi nuk do ta njohë Kosovën, ne shpresojmë se një herë rrethanat gjeopolitike do të bëjnë të mundur që flamuri ynë të rikthehet në Kosovë “, deklaroi deputeti i Demokracisë së re Serbe, Slaven Radunoviç.
Gjatë vizitës në Podgoricë, Meta i dha kryeministrit Milo Gjukanoviç dekoratën “Urdhri i Flamurit”.
Por sipas serbëve, Gjukanoviç është një tradhtar dhe dekoratën e mori si shpërblim për njohjen e Kosovës./Telegrafi/