Telegrafi

Meta: E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare duket plot mirëbesim

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe homologu i tij bullgar, Radev zhvilluan ditën e djeshme një konferencë të përbashkët për shtyp, ku gjatë fjalës së tij, Meta falënderoi Radevin për ndihmën e dhënë pas tërmetit.

Ditën e sotme, me anë të një postimi në rrjete sociale, presidenti i Republikës ndan foto me Presidentin Radev teksa ngrenë një dolli të dy së bashku.

“I lumtur të ngrija një dolli me Presidentin Radev për miqësinë e fortë të dy popujve tanë!”, shkruan presidenti në Facebook.

“Bullgaria ishte streha e sigurt e shumë patriotëve tanë gjatë Rilindjes Kombëtare në luftën për përhapjen e gjuhës shqipe dhe arritjen e Pavarësisë. Në Sofje, Shahin Kolonja, Kristo Luarasi, Mithat Frashëri etj., në shtypshkronjën “Mbrothësia” botuan abetare pafund dhe gazetën “Drita” për t’i shpërndarë kudo në Atdhe me qëllim lartësimin e ndjenjave kombëtare dhe mobilizimin për kryengritjet finale që do sillnin Pavarësinë tonë në 28 nëntor 1912.

Edhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare duket plot shkëlqim e mirëbesim”, shton ai më tej, raporton Tch.