Ilir Meta deklaroi se LSI afirmon koalicionin me Partinë Socialiste, por vendos theksin tek përmbushja e të gjitha garancive për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.
“LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me Partinë Socialiste bazuar në arritjet e deritanishme dhe reflektimi serioz për këtë koalicion. Nëse lidershipi i Partisë Socialiste nuk do të tregojë vullnet maksimal për zgjedhje të lira dhe dhënie garancish për opozitën, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë, por as edhe e një farse elektorale të mundshme”, deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së kërkoi që qeveria të fitojë besimin e opozitës për garancitë e zgjedhjeve.
“LSI deklaron se vendi ka nevojë për një qeveri të besimit, për zgjedhje të gjithëpranuara nga të gjithë, që do të garantojë mospërfshijen e administratës në zgjedhje, sidomos Policisë së Shtetit, garantimin e luftës kundër drogës dhe çdo përpjekjeje kriminale për përfshirje në zgjedhje. Reforma zgjedhore është një kusht i domosdoshëm për realizimin e një gare zgjedhore me kushtë të barabarta”, deklaroi ai.
Por a e përfshin kjo “qeveri e besimit” edhe përfshin Kryeministrin Rama?
“Edhe kjo Qeveri kështu siç është mund të jetë qeveri e besimit nëse merr angazhimet e duhura, që të garantojë që administrata publike të mos jetë në presion për vota dhe të mbledhi vota, që Policia e Shtetit të jetë asnjëanëse. Garancia e parë është ndryshimi i retorikës nga Qeveria. Mund ta kuptojmë opozitën, por përgjegjësinë më të madhe e ka Qeveria, sepse opozita nuk mund të vendoset në kushte që mos ketë çfarë të humbasë”, tha ai.
Meta tha se retorika politike agresive, provokative dhe konfliktuale është përshkallëzuar dhe në këto kushte, sipas tij, është i detyrueshëm dialogu urgjent mes palëve politike.
“Çdo vonesë e çon vendin në pasoja të paparashikueshme. Rama e Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet konfliktuale”, deklaroi ai.
E si garanci për opozitën, Ilir Meta e ka bërë vetë hapin i pari.
“Nëse PD mendon se mandatet e LSI-së e ndihmojnë në kontrollin dhe balancën e zgjedhjeve, këto mandate ja japim PD. Kjo nuk do të thotë që ne bashkohemi me opozitën, por kjo mund të ishte një mënyrë për t’i dhënë një qetësi dhe besimi për këtë proces zgjedhor”, theksoi Meta.
Si një rrugëdalje në kjo, Meta sheh edhe propozimin e Shpëtim Idrizit, me të cilin u takua në orët e mesditës së të hënës.
“Unë përshendes nismën e zotit Idrizi, që është një mundësi zgjidhjeje”, tha ai.
PDIU ka kërkuar zgjerim të grupeve të numërimit me të gjitha partitë parlamentare dhe jo vetëm katër, PS, PD, LSI dhe Partia Republikane.
Kjo do të rriste aksesin e të gjitha partive në grupet e numërimit dhe pamundësinë që procesverbalet të kalojnë vetëm me firmat e partive kryesore. Një hapje e tillë do të rriste transparencën dhe ulte mundësinë e vjedhjes, apo tjetërsimit të votave./tch/