Site icon Telegrafi

Meta dekreton Edi Ramën ministër të Jashtëm të Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe dekretimin e Edi Ramës si ministri të Jashtëm të Shqipërisë.

Për dekretimin e Ramës në postin e të parit të diplomacisë shqiptare, Presidenca ka njoftuar mediat të premten.

“Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar. Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që : Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme”, thekson njoftimi për media i Presidentit Meta. /Telegrafi/

Exit mobile version