Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për debatin mbi korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për “Albanian Daily News” Meta tha se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin dhe çdo tentativë për të ndryshuar kufijtë cenon stabilitetin.
“Dialogu Serbi-Kosovë, për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit. Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi. Marrëveshja që mendohet të arrihet mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara.
Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot”, u shpreh Meta.
Meta tha se nuk duhet të cënohet sovranitet i Kosovës, që tashmë është i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa mbështeti qëndrimin e qeverisë shqiptare.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.
Unë mbështes qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë në përkrahje të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik të shtetit të Kosovës dhe garancive të rëndësishme ndërkombëtare, Plani Ahtisari e Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës, i cili legjitimoi të përputhshëm me të Drejtën Ndërkombëtare Pavarësinë e Kosovës”, theksoi presidenti i Shqipërisë.