Site icon Telegrafi

Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit e Veselit, edhe kësaj here do të konfirmohet drejtësia e luftës së UÇK-së

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Meta përmes një postimi në Facebook, është shprehur se lufta e UÇK-së, iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit dhe ajo rezultoi se ishte e drejtë.

Po ashtu, ai u shpreh se kjo nuk është hera e parë që janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre është konfirmuar edhe më parë.

Lexo po ashtu Specialja ngre aktakuzë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”, shkruan Meta. /Telegrafi/

Exit mobile version