Në Tiranë, sot mbahet konferenca rajonale e grave parlamentare, e cila drejtohet nga deputetja Arta Dade.
Në këtë konferencë, ka qenë i pranishëm edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka ofruar mbështetje maksimale ndaj sfidës për barazi gjinore. Ai tha se me këtë sfidë nuk përballen vetëm vendet e rajonit por edhe shoqëritë e zhvilluara.
“Është një privilegj i veçantë që të përshëndes këtë konferencë rajonale kur shoh këtë prani kaq domethënëse. Barazia gjinore sfidë jo vetëm për rajonin por edhe shoqëritë e zhvilluara. Asnjë vend nuk mund të pretendojë që ka arritur një barazi gjinore të plotë në politikë. Çështja e barazisë gjinore tepër komplekse. Eliminimi i hendekut të përgjithshëm gjinor që ekziston kërkon adresim më të gjerë duke vlerësuar mjaft indikatorë që kanë të bëjnë me arsimimin, pagat e të tjera. Këta indikatorë mund të vlerësohen shumë më mirë duke rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje”, tha Meta.
Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit përmendi si një nga ngjarjet më domethënëse krijimin e aleancës së grave por edhe ndryshimin e kodit elektoral si dhe reformën administrative.
“Suksesi më i rëndësishëm është ndryshimi në kodin elektoral për sa takon zgjedhjeve vendore ku u vendos që në listën për këshilltarë 1 në 2 anëtarë të jetë patjetër grua. Kjo ka bërë të mundur që në këshillin e bashkisë së Tiranës për herë të parë të kemi një shumicë gjinore të grave. Inkurajoj që sa herë shkelet etika në këtë kuvend të reagojnë së bashku sepse kështu jo vetëm mbrojnë dinjitetin e njëra-tjetrës por edhe standardin që duhet të ketë kuvend. Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm, një reformë administrative-territoriale që u shoqërua edhe me zgjedhjen e shumë zonjave të nderuara si kryebashkiake. Besoj se drejtimi i tyre me sukses do të hapë rrugën që në zgjedhjet e tjera, roli i tyre të fuqizohet më tej”, tha Meta.
Ai kërkoi bashkëpunim për t’i dhënë hop më cilësor përfaqësimit të gruas në Kuvend.
“Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve të ardhshme të shtohet bashkëpunimi mes zonjave të kuvendit, por edhe me organizata të shumta që të realizojmë një hop shumë më cilësor për përfaqësimin e gruas në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh ai. /Telegrafi/