Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e analizës së veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2017, ku ishin gjithashtu të pranishëm Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj; Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, Auditori i Përgjithshëm i ZKA-së së Kosovës Besnik Osmani, Zëvendësauditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë Naser Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Anastas Angjeli, auditues me përvojë të KLSH-së, pedagogë, etj.
Meta shprehu kënaqësinë për angazhimin dhe përkushtimin e KLSH-së.
“Performanca e qëndrueshme dhe në rritje e këtij institucioni gjatë viteve të fundit ka ardhur si rezultat i reformimit dhe modernizimit të praktikave audituese konform standardeve ndërkombëtare të auditimit duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në forcimin e mirëqeverisjes së institucioneve publike në vend. Shtyllat kryesore mbi të cilat besoj se do të vazhdohet të bazohet veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë pavarësia dhe profesionalizmi”, tha ai.
Sipas Metës, intensiteti i një sërë problematikash me karakter jo vetëm kombëtar siç janë çështjet e emigrimit, sigurisë kombëtare, ndryshimeve klimatike po vjen gjithmonë e në rritje.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpërmjet vlerësimit të performancës së vendimmarrjeve në këto fusha sensitive, duhet të kontribuojë drejtpërdrejtë në evidentimin dhe jetësimin e praktikave më të mira, duke garantuar përmbushjen e objektivave strategjike kombëtare. Së dyti, në një kohë kur besueshmëria tek institucionet publike është në nivele jo fort inkurajuese, ruajtja e integritetit dhe legjitimitetit moral për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbetet një sfidë e rëndësishme”, theksoi presidenti Ilir Meta. /Telegrafi/