Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vendosur të anulojë pritjen shtetërore me rastin e Ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë.
Sipas njoftimit për media anulimi është bërë për shkak të tragjedisë që ka ndodhur sot në Shqipëri, ku pas tërmeteve kanë mbetur të vdekur 21 persona ndërsa rreth 600 të lënduar.
“Nisur nga situata e rëndë e fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë dhe që për fat të keq shkaktoi humbje jetësh të qytetarëve, plagosje dhe dëme të jashtëzakonshme materiale si dhe nga rëndësia prioritare e përqendrimit të të gjitha forcave e energjive për të përballuar pasojat katastrofike të kësaj tragjedie, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta ka vendosur të anulojë Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë, planifikuar për në datën 28 nëntor 2019, në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Qeveria shqiptare ka vendosur të shpallë ditën e nesërme ditë zie kombëtare. Ky vendim i qeverisë vjen pas tërmetit katastrofik që goditi sot Shqipërinë, duke lënë të paktën 21 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur./OraNews/