Telegrafi

Meta: 7 ligjet do të miratohen sipas afateve kushtetuese

Shtatë ligjet e reformës në drejtësi do të miratohen sipas afateve kushtetuese. Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas përfundimit të takimeve me ambasadorët. Meta tha se miratimi i shtatë ligjeve do të bëhet sipas planit me partnerët.

Kreu i Kuvendit theksoi se palët janë në kontakte të vazhdueshme. Meta shtoi se në përfundim të bisedimeve do të bëhet e ditur se kur do të çohen për votim në Parlament 7 ligjet.

“Jemi në proces diskutimesh me kreun e Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, nënkryetarin Oerd Bylykbashi dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Mund t’ju them me siguri që deri më 11 gusht, deputetët të jenë të qetë dhe të vijojnë programin e tyre. Pasi të rakordojmë çdo gjë do t’ju njoftojmë kur të jemi të bindur se po shkojmë drejt një seance të suksesshme. Unë jam informuar përgatitjen e përfaqësuesve të PD-së. Komisioni do të mblidhet në kohën e duhur. Duhet të kemi një axhendë të qartë nga mbledhja e komisionit deri në fund të seancës”, tha ai.