Pak vite më parë Ela (kështu preferon ta quajnë) ishte mësuese e ciklit fillor në Shkodër, por aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun 325 për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në këtë rrëfim, 52-vjeçarja e dënuar me 6 vjet burg tregon sesa i mungojnë nxënësit e sesi ka gjetur veten duke i dhënë njohuri grave të dënuara që s’dinë të shkruajnë.
Ela, për çfarë vepre penale je dënuar?
Unë jam dënuar 6 vjet, ndërsa në burg kam 2 vite. Jam dënuar për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, një dënim i padrejtë për mua.
Para se të dënoheshit ju keni qenë mësuese. . .
Po, pak kohë kam qenë mësuese. Në mënyrë humane kam dhënë mësim edhe jashtë, në një sektor tjetër: të motrave që vinin në Shqipëri për të ndihmuar të varfrit, me murgeshat dhe me priftërinjtë.
Të mungon profesioni i mësuesit?
Më mungon sepse është një gjë shumë e bukur, po çfarë të bëjmë. . .
Po nxënësit a të mungojnë?
Më mungojnë, por do t’i përshtatemi kushteve.
Ju sot, në shenjë urimi morët një tulipan. A është i mjaftueshëm ai për t’ju uruar festën e 7 Marsit?
Për pozicionin që jam është i mjaftueshëm. Në çdo moment, në çdo kohë do t’i përshtatesh ambientit ku je. Jeta në komunitet është shumë e vështirë.
Ti sot ushtron profesionin tënd brenda qelive të burgut. Përse?
Kur erdha këtu unë u ofrova thjesht në mënyrë humane për këto vajza që nuk dinin të shkruanin as emrin e tyre e nuk dinin sa bëjnë 1+1. Unë thjesht, meqenëse edhe drejtoresha e institucionit kishte dëshirë, dhashë kontributin, për aq sa mundem.
Si ndjeheni që ju keni dhënë njohuri këtyre vajzave, të cilat nuk kanë patur mendësi të shkollohen?
Është një kënaqësi shumë e madhe shpirtërore. Ato kanë edhe fëmijë sepse janë në moshë të madhe dhe nuk dinë si t’i shkruajnë fëmijës së vet emrin. . . Është shumë emocionale. Sinqerisht, ditët e para jam emocionuar shumë, por avash-avash kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë dhe ato ndjehen mirë me mua.
A ke një urim për mësuesit?
Ju uroj dhe të gjitha grave dhe mësueseve 7-8 Marsin. Unë jam edhe nënë dhe gjyshe, kam 3 fëmijë: 2 goca dhe një çun. Unë nuk kam bërë asgjë, por këtu thjesht nuk funksionon drejtësia. Megjithatë ne çdo ditë kërkojmë të drejtën tonë. /Gsh.al/Telegrafi/