Site icon Telegrafi

Mësuesit e viteve të rezistencës kërkojnë njohjen e kontributit (Video)

19 vjet pas luftës dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një kategori që kontribuoi në mbajtjen gjallë të arsimit shqip në kohën e okupimit po pret për njohje ligjore të këtij kontributi.

Nga viti 1992, shqiptarët e Kosovës u detyruan të gjejnë forma alternative të mbajtjes gjallë të sistemit arsimor pasi që administrata serbe nuk lejonte mbajtjen e mësimit shqip nëpër objektet shkollore.

Një pjesë e madhe e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj okupimit serb përbën mësimin ‘ilegal’ që u bë në një sistem paralel që nuk iu dorëzua presionit për mbylljen e shkollave shqipe në vitet e 90-ta.

Ahmet Pllana, një mësues i historisë që ditarin e klasës e mban për plot 35 vjet, rrëfeu për Kallxo.com se si është zhvilluar një ditë e mësimit gjatë viteve të represionit.

“Sa i përket shkollës në Dardani, shkolla ka qenë e ndarë me mure, 60 për qind të lokalit e kanë pasë serbët, 40 për qind ne… Punonim me katër ndërrime. Ndërrimi i fundit ka zgjatur deri në orën 20:00 në mbrëmje. Kemi pasur presion, unë kam qenë i përndjekur, kanë ardhë në shkollë të armatosur”, tha Pllana.

Ngjashëm, Nazlije Cakolli, e cila që nga viti 1993 kishte punuar në një shkollë fshati në Gjilan, tha se motivi i vetëm për rezistencë ishte dëshira e nxënësve për mësim.

“Kemi punuar mjaft, ndoshta mund të themi se edhe më shumë se tani dhe ajo që i shikonim nxënësit duke pritur, na ka dhënë forcë për të punuar. Duke filluar nga viti 1993, një kohë ka qenë kur kam udhëtuar 35 kilometra, kemi pasë raste kur policia na kanë zbritur nga autobusi dhe na ka pyetur ku po shkoni”, tha Cakolli.

Këta mësimdhënës thonë se të qenurit mësues në vitet e lirisë është eksperiencë jashtëzakonisht e mirë por që sipas tyre nuk është e kënaqshme pa njohjen ligjore të statusit të veçantë për ata që kanë punuar në vitet e ’90.

Pllana, i cili është edhe kryetar i Sindikatës së Arsimit për komunën e Prishtinës, konsideron se një pension i veçantë është meritor për ata që mjet lufte e patën vetëm shkumësin.

“Duhet edhe këta mësimdhënës të shpërblehen në një mënyrë sidomos t’u njihen vitet 90-99, të gjithë i kanë marrë, edhe të burgosurit politikë, edhe veteranët e luftës, e pse arsimtarët mos t’i marrin?”, tha Pllana.

Ndërkaq, mësuesja Cakolli bën thirrje që të paktën të ketë njohje morale të kontributit të tyre.

“Kemi punuar pa paga, do të vazhdojmë punën prapë por gjithherë duke kërkuar kërkesat tona, që së paku moralisht ajo periudhë të na njihet”, u shpreh Cakolli.

Mosavancimi i një Projektligji ekzistues për punëtorët e arsimit të viteve ’90 detyroi Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Kulturës dhe Shkencës të organizojë greva.

SBAShK organizoi një grevë njëorëshe dhe më pas një dyorëshe me këtë kërkesë që ata e konsiderojnë primare.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte thënë për Kallxo.com se miratimi i këtij Projektligji është vonuar tej mase.

“Ajo që më së shumti na detyroi të marrim veprime sindikale është fati i pazgjidhur i Ligjit për statutin e punëtorëve të arsimit për vitet e 90-ta. Ne kishim pritur se Ligji për ato vite do të kalojë shumë shpejt. Ja që nga viti 2013 erdhëm në vitin 2018, Ligji arriti në Qeveri por atje ka ngecur”, tha Jasharaj.

Në anën tjetër, Projektligji për punëtorët e viteve të 90-ta i filluar nga Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami vazhdon të qëndrojë si projektligj në MAShT i miratuar edhe nga ministri i ri, Shyqiri Bytyqi.

Pas grevës së mësimdhënësve, ministri i Arsimit si dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj janë zotuar për përkushtim në shtyrjen përpara të këtij Projektligji.

Çfarë përfitojnë punëtorët e arsimit të viteve ’90 nga Statusi i veçantë?

Fillet e iniciativës për krijimin e një ligji të veçantë që njeh status meritor për punëtorët në arsim të asaj kohe ishin në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë, kjo iniciativë ka mbetur vetëm një projektligj.

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 e deri në vitin 1998/99 është bartur në dy udhëheqje të Ministrisë së Arsimit që u munduan ta shtyjnë për miratim ndërsa pengesa e vetme sipas zyrtarëve vazhdon të jetë sigurimi i linjës buxhetore.

Portali ka siguruar këtë Projektligj, i cili parasheh pensione të veçanta për disa kategori të punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta duke përfshirë mësimdhënësit.

Sipas këtij Projektligji përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Përfituesit e pensioneve meritore megjithatë ndahen në dy kategori.

Në kategorinë e parë hynë të gjithë përfituesit e pensionit që kanë shërbyer mbi 5 deri në 10 vjet gjatë kësaj periudhe dhe kompensohen në shumë prej 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor në Kosovë.

Në kategorinë e dytë hynë të ata që kanë shërbyer nga 1 deri 5 vjet gjatë kësaj periudhe dhe kompensohen në shumë prej 65 për qind të pagës bazë në arsimin fillor.

Sipas Projektligjit, punëtorët po ashtu ndahen në kategori të punëtorëve në nivel komune dhe në nivel republike dhe pronarët e shtëpive- shkolla që kishin dhënë në shfrytëzim shtëpitë e tyre për t’u shfrytëzuar si shkolla.

Për dy kategoritë e para parashihen edhe benificione si shërbimet mjekësore pa pagesë, përparësi në shërim jashtë vendit, përparësi në vendosjen në shtëpitë për të moshuar si dhe përparësi në përkujdesjen në banim familjar në rast të ndarjes së banesave nga niveli qendror dhe komunal.

Ndërkaq çështja e pronarëve të shtëpive-shkolla pritet të rregullohet me një akt nënligjor.

Foto: Ilustrim

Exit mobile version