Telegrafi

Mësuesi u sulmua për vdekje me hanxhar, policia qëlloi me disa plumba në drejtim të sulmuesit – detajet dhe pamjet e ngjarjes së tmerrshme në Paris

Një mësues i historisë u sulmua me hanxhar jashtë shkollës së tij të mesme në një periferi të Parisit të premten pasi, siç thuhet, u tregoi një karikaturë profetit Muhamed nxënësve të tij.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Samuel Paty, 47 vjeç, i cili dha mësim historie dhe gjeografie në shkollën në Conflans-Sainte-Honorine, në veri-perëndim të kryeqytetit francez, u sulmua të premten në mbrëmje nga një 18 vjeçar i cili u qëllua për vdekje nga policia pak më vonë.

Siç bëhet e ditur, në fillim të këtij muaji, Paty i kishte treguar një klase nxënësish adoleshentësh një karikaturë nga gazeta satirike Charlie Hebdo gjatë një diskutimi në orën e edukimit moral dhe qytetar rreth lirisë së fjalës, duke shkaktuar një përgjigje të furishme nga një numër prindërish që kishin kërkuar dorëheqjen e tij.

Para se të paraqiste karikaturën, mësuesi thuhet se ftoi studentët myslimanë të largoheshin nga klasa nëse ata dëshironin.

Por më pas, babai i një vajze 13-vjeçare që nuk u largua nga klasa postoi një video në YouTube duke pretenduar se mësuesi kishte treguar një “foto të një burri të zhveshur” duke pretenduar se ai ishte “profeti i myslimanëve”.

Babai u bëri thirrje prindërve të tjerë që të bashkohen me të në një aksion kolektiv kundër mësuesit, të cilin ai e përshkroi si një “voyou” (bandit).

Në mënyrë që të qetësohej situata, shkolla organizoi një takim midis drejtorit, mësuesit dhe një zyrtari nga autoriteti i arsimit.

Dhe vrasësi 18-vjeçar, i cili lindi në Moskë dhe u raportua të ishte nga Çeçenia, sulmoi Paty ndërsa ai po largohej nga shkolla, duke i prerë kokën me një hanxhar.

Ai pastaj bëri një fotografi të viktimës së tij dhe e postoi atë, me një mesazh për presidentin francez Emmanuel Macron me shkrimin “Abdullah, shërbëtori i Allahut”, në mediat sociale.

Dëshmitarët thanë se vrasësi bërtiti “Allahu Akbar”, pastaj iku me vrap nga policia.

Ai u qëllua për vdekje pasi nuk pranoi të dorëzohej. Oficerët thanë se ata qëlluan të paktën 10 herë pasi sulmuesi i kërcënoi ata.

Ndërkohë Macron vizitoi skenën e sulmit të premten në mbrëmje.

“Një nga bashkatdhetarët tanë u vra sot sepse ai u mësoi nxënësve lirinë e shprehjes, lirinë e besimit dhe të mos besimit”, tha ai. “Ky ishte një sulm qyqar ndaj bashkatdhetarit tonë. Ai ishte viktimë e një sulmi tipik islamik terrorist”. /Telegrafi/