Mësuesit i premtuan një pagë më e mirë ashtu si e meriton, por e mashtruan. Gjatë fushatës zgjedhore, pra gjatë fushatës zgjedhore, si nuk e kuptoi këtë mësuesi…
Liderët shpalosnin “programet” e tyre të qëndisura aq mirë sa ata që dëgjonin të “zhytur” në dashuri me liderin e tyre humbnin arsyen dhe çdo premtim të të dashurve e konkretizonin në imagjinatën e tyre. Sa e bukur dukej një pagë me 50 % apo 100% rritje siç premtonin ata, sa e lezetshme dukej një shëtitje nëpër Evropë me një biletë në xhep, e shumë e shumë premtime të tjera. Po duhet pranuar se të gjitha premtimet e tyre ishin të këndshme për dëgjuesin, i cili ishte i prirë t`i besonte liderit të tij aq sa po t’i premtonte edhe ndërtimin e një piramide të vjetër po aq sa ajo e Keopsit, do ta besonte.
Të kthehemi të mësuesi, te ai që disa herë u garantua për pagë më të mirë. Dhe në fund, krejt në fund, ju tha me “keqardhje” se nuk do të këtë rritje ashtu si i ishte premtuar. A e meriton mësuesi këtë? Gjithsesi që JO! Pse atëherë ata e mashtruan? Ndoshta ata nuk e njohin këtë mësuesin e urtë, e të butë, trim e bujar, që kur ishte nevoja punoi pa asnjë centë të vetëm. Madje po ky mësues ishte qe dëftesën shkollore e vuloste me Kosova Republikë kur të tjerët as në pluhur nuk guxonin ta bënin këtë. Ky ishte mësuesi, të cilin sot e mashtruan mashtruesit.
Ata trumbetoni se po i’a rikthejnë dinjitetin mësuesit. Po kush u tha atyre që mësuesi ka humbur dinjitetin apo ndoshta ata e shohin nderin, respektin dhe dinjitetin tek paraja, që “masin me peshojë të tyre”. Jo mësuesi ka dinjitet edhe pse nuk vozitë veturë X6, edhe pse nuk posedon mobil me “mollë të kafshume”, edhe pse në shkollë shkon me “patika të Kinës”, ai ka dinjitet. Patikat dhe biçikletën “bmx” e ka blerë me djersën që buron nga rrudhat e ballit të tij të ndritur, nga puna e ndershme, fisnike, humane dhe misionare që ai bënë. Mësuesi nuk lakmon pasurinë e juaj, nëse nuk keni harruar ai shumë herë ju fliste me entuziazëm se si duhet qenë të ndershëm, virtytshëm dhe para së gjithash atdhetar, dhe jo mashtrues. Ndoshta akoma nuk e ka mbuluar pluhuri i harresës suaj atë frazën “Duaje atdheun, si shqiponja folenë” që shumë here mësuesi ua kujtonte. Apo mos ndoshta ju për shkak të egos suaj të trazuar nga pangopësia atë frazë e “modifikuat” në “Duaje atdheun si ujku kopenë”. Sidoqoftë nëse dikush ka humbur dinjitetin, nderin e moralin ata jeni ju. Jo mësuesi! Po ndoshta ju as që keni pasur ndonjëherë një gjë të tillë!
Çmimet rritën, pagat mbeten të njëjtat. Mos ndoshta përveç “vjedhjes” së votave ky ishte qëllimi i dytë i premtimit për rritje të pagave! Sigurisht po. Ata kanë nevojë për më shumë para, biznesi i tyre duhet të sjell përfitime më shumë, rruga më e shpejt është rritja e çmimeve, gjë kjo që arsyetohej me “rritjen” e pagave. Ndoshta është e tepërt të thuhet se kush qëndron pas bizneseve më profitabile në vendin tonë. Sigurisht mësuesi jo.
Ata e kanë ditur që nuk do të këtë rritje pagash. Marrëveshja e bërë me Fondin Monetarë Ndërkombëtar, ishte para premtimit të bërë për rritje pagash. Sipas marrëveshjes nuk lejohej rritja e pagave më shumë së 8%. Megjithëkëtë ata vazhdonin të premtonin dhe të këmbëngulnin në rritjen e tyre madje 50% e disa të tjerë 100%. Marrëveshja ishte nënshkruar nga ata, sigurisht jo nga mësuesi. Në fakt mësuesi firmosi një marrëveshje, por ajo mbeti vetëm e nënshkruar, asgjë më shumë. Mësuesi u mashtrua nuk i shkoj ndërmend “që personi i cili qeshë gjatë gjithë kohës është duke u munduar të shesë diçka që nuk punon”. Ndoshta kjo do të bëjë që mësuesi më të mos mashtrohet! Ai u mashtrua sepse besoi se fjala e tyre është e njëjtë si fjala e tij, por jo ai u zhgënjye. Nuk e meritonte këtë.
Për fund, Kosova n`progres!? – Eh një ditë duke biseduar me gjyshin i lindur 1927 sene, më befasoi kur tha se “Kosova veç përpjetë po shkon”! E vërejti që unë nuk i besova dhe më tha biro dëgjoje plakun: “Një mësit ia lypë çikën njanit, baba i çikës po e vetë mësitin, a ka farë pasunie familja e djalit? Aaa, veç përpjetë po shkojnë, thotë mësiti! Mirë, thotë baba i çikës, i koftë përhajrë! U martu çika, po vjen s’pari, dhe baba po e pyet se a kishin far idare te burri? Valla babë veç një dhi para dere e kishin, kurgjo tjetër! Nihet keq baba, shkon drejt te mësiti e po i thotë, qysh bre me kishe marrë në qafë, po ai gjo të gjallë nuk kish, pos një dhie, e ti thoshe veç përpjetë po shkon? Eh, thotë mësiti, po ai ma poshtë s`ka ku shkon se n`qatë dhi". Kështu biro, tha baba, edhe Kosova ma poshtë s`ka ku shkon.
Pra gëzuar, veç “përpjetë” po shkojmë!
(Autori është bachelor i Psikologjisë)