Ky vend i sjellë kujtimet më të mira atij. Aty ku mori hapat e parë si nxënës. Sa herë që e viziton atë, mbushet me kujtime të përziera me lot, sepse për të dikur ishte kohë e artë.
Është Mehdi Kadriu, nga Zhegra e Karadakut, i cili ishte vetëm 16 vjeç, kur për herë të parë mori ditarin në dorë. Atëkohë, mësues i një moshe të hershme.
“Deri në klasën e tretë të shkollës fillore, nuk kam pasur laps, fletore as libër. Të gjitha mësimet i kemi shënuar në disa dërrasa por me disa lapsa si të gurit. Herën e parë fletore kam marrë në klasën e tretë. Kur jam punësuar për herë të parë si mësues kam pasur vetëm 16 vjet. Sapo kam mbaruar sikur të them sot klasën e tetë. Në klasën e katërt i kam pasur dy nxënës në një datëlindje me mua”, rrëfen për RTV Dukagjinin Mehdi Kadriu.
Takimi me ish nxënësit, i sjellin atij emocione të pa përshkruara, sepse për të ishin dhurata të arta.
Ai ka thënë se i flinte zemra e shpirti, kur shihte ata fëmijë që e donin aq shumë.
Kishte shumë fshatra në të cilët kishte dhënë mësim. Por, atë që e viziton më së shpeshti është objekti i vjetër i shkollës në fshatin Shurdhan, ku i kishin mbetur vetëm gërmadhat. Emrin e së cilës ia kishte vendosur vetë ai.
“Me qenë vështirë nuk ka qenë, përveç udhëtimit. Por aq shumë kemi pasur vullnet të dalim para nxënësve, saqë nuk e kemi ndjerë atë lodhje. Rrogat kanë qenë të mira, por standardi i nxënësve ka qenë shumë i ulët”, tregon më tej Mehdi Kadriu.
“100 herë po të lindesha, 100 herë do të bëhesha mësues”, ishin fjalët e 81 vjeçarit, i cili nuk mund të ndante sytë nga objekti i shkollës së vjetër./Telegrafi/