Site icon Telegrafi

Messi trondit gazetarin teksa zbulon se do të pensionohej nëse Argjentina nuk do të kishte fituar Kupën e Botës

Lionel Messi ka zbuluar se ai do të kishte lënë futbollin ndërkombëtar nëse Kombëtarja e Argjentinës nuk do të kishte fituar Kupën e Botës “Katar 2022”.

Kapiteni argjentinas shënoi dy gola për Albiceleste në finalen e Kupës së Botës kundër Francës, pasi ajo përfundoi 3-3 në kohë të rregullt dhe vazhdime, deri në penallti. Ai gjithashtu shënoi njërin nga penalltitë, ndërsa Argjentina fitoi kurorën e tretë botërore.

Pas marrjes së çmimit të Topit të Artë, Messi deklaroi prerazi se “nuk do të tërhiqej nga kombëtarja e Argjentinës. Dua të vazhdoj të luaj si kampion”.

Megjithatë, në një intervistë të fundit me një rrjet televiziv argjentinas ai pranoi se do të kishte varur këpucët nëse Argjentina nuk do të kishte arritur të ngrinte trofeun.

“Kam shijuar shumë çdo moment gjatë Kupës së Botës. E kam shijuar siç nuk e kisha bërë kurrë më parë. Ndoshta sepse e dija se mund të ishte Botërori im i fundit”, ka thënë fillimisht Messi.

 

“Dhe të jem i sinqertë, mendoj se nëse nuk do të kishim qenë kampionë bote unë nuk do të isha më këtu në ekipin kombëtar. Absolutisht”.

“Por, tani, duke qenë kampion bote, nuk mund të largohem nga kombëtarja, duhet t’i shijoj të gjitha këto. Por, atëherë ishte sikur e shijoja dhe në të njëjtën kohë kisha një paqe të madhe shpirtërore dhe besim në grupin që kishim”.

Pas humbjes në Copa America 2016 nga Kili, Messi u tërhoq për një kohë të shkurtër nga ekipi kombëtar, por më pas ndryshoi vendimin e tij disa muaj më vonë. Megjithatë, superylli 35-vjeçar ka sugjeruar tashmë se ai nuk do të rikthehej për Kupën e Botës 2026.

Në një intervistë të fundit, ai madje pranoi se pensioni i tij në Argjentinë “do të jetë së shpejti” pasi po hyn në “vitet e fundit” të karrierës së tij. /Telegrafi/

Exit mobile version