Telegrafi

Messi: Të fitosh Ligën e Kampionëve është e vështirë

Ylli i Paris Saint-Germain, Lionel Messi ka folur për mundësinë e fitimit të Ligës së Kampionëve dhe një gjë të tillë e ka cilësuar si shumë të vështirë.

Liga e Kampionëve është prioriteti kryesor për skuadrën parisiene, me shumë njerëz që në fillim të sezonit thonë se me skuadrën e tyre çdo gjë më pak do të ishte një dështim.

Edhe 34-vjeçari argjentinas është i vetëdijshëm për pritshmëritë, por gjithashtu e di mirë se si është e vështirë të ngrish trofeun kryesor evropian për klube.

“Të fitosh Ligën e Kampionëve është e vështirë. Është vendi ku skuadrat dhe lojtarët më të mirë konkurrojnë; detaji më i vogël mund të të eliminojë”, ka thënë fillimisht Messi.

“Klubet dhe skuadrat e mëdha janë në përzierje. Ne kemi skuadrën për t’i dhënë fund pritjes. Jemi të emocionuar dhe të etur për ta arritur atë, por duhet të qëndrojmë të qetë”.

“Në Ligën e Kampionëve nuk fiton gjithmonë skuadra më e mirë dhe duhet t’i kushtoni vëmendje të gjitha detajeve; skuadrat e forta janë ato që arrijnë objektivat e tyre”, përfundoi ylli i PSG-së.

Ndryshe, PSG ka fituar me rezultat 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Real Madridit në fazën e 1/8-tës, ndërsa ndeshja kthyese zhvillohet javën tjetër. /Telegrafi/