David Trezeguet u shpall kampion bote me Francën në vitin 1998. Megjithatë, këtë të diel, prejardhja e tij argjentinase do të bëjë që t’i thyhet zemra në finalen që ‘Les Bleus’ do të luajë kundër Albiceleste.
Argjentina dhe Franca do të luajnë në finalen e madhe të Kupës së Botës “Katar 2022” të dielën dhe tashmë shumë yje të njohur botëror janë ndarë në dysh në lidhje me përkrahjen e ndonjërës kombëtare.
Njëri nga ta është Trezeguet, i cili edhe pse ka fituar Kupën e Botës me fanellën e Francës, në këtë finale bën tifo për Argjentinën e në veçanti për Messin.
“E vështirë personalisht, emocionalisht. Diçka që nuk e doja, por mirë kjo duhet të jetë një festë dhe është një finale e mrekullueshme. Kjo është ajo që ne të gjithë e prisnim , për shkak të karakteristikave, historisë, ato janë dy skuadrat më të mira në Kupën e Botës”, ka thënë fillimisht Trezeguet ai në intervistën për TyC Sports.
Megjithatë, pavarësisht se kishte ndjenja të përziera, ai zgjodhi diçka më shumë për Albiceleste.
“E përsëris vazhdimisht, emocionalisht, duke e ditur se do të jetë Botërori i tij i fundit, Leo e meriton të jetë kampion. Ai i bën njerëzit të ëndërrojnë, kjo nuk i heq ambiciet e Francës për të ruajtur titullin”.
Në fund, sulmuesi francez foli edhe për duelin mes Lionel Messit dhe Kylian Mbappe.
“Franca u bë kampione e botës, nuk ka dyshim. Këtu ndryshimi është mosha, Leo është në pjesën e fundit të karrierës, Mbappe sapo ka filluar dhe do të shënojë gjithçka. Së bashku në PSG ata janë kombinimi perfekt, por Argjentina luan për Messin, gjithçka kalon përmes tij”, përfundoi ish-sulmuesi i njohur.
Do të shohim se çfarë do të ndodhë më në fund këtë të diel. Sido që të ndodhë, Trezeguet do të jetë një njeri i lumtur dhe i trishtuar në të njëjtën kohë. /Telegrafi/