Telegrafi

Messi dukshëm i pakënaqur, shkaktoi skandal të ri te PSG – trajneri Galtier iu lut të ndryshonte mendje

Lionel Messi është sërish tema kryesore kur bëhet fjalë për futbollin francez dhe kësaj radhe për një problem në stërvitje.

Argjentinasi këtë herë ishte objekt i mediave franceze për shkak të një incidenti që sipas disa gazetarëve francezë ka ndodhur gjatë seancës së djeshme stërvitore.

Në një moment, trajneri i PSG-së, Christophe Galtier u kërkoi lojtarëve të bënin stërvitje që përfshinin lojën  dy me dy, dhe Messi, dukshëm i mërzitur më herët në stërvitje, e hodhi poshtë idenë dhe vendosi të linte stërvitjen.

Galtier dyshohet se e ndoqi atë dhe iu lut që të mos e bënte këtë dhe të qëndronte në stërvitje, por argjentinasi refuzoi të gjitha lutjet dhe shkoi në shtëpi.

Kjo nuk është hera e parë që në PSG nuk respektohet hierarkia dhe zinxhiri komandues, por është hera e parë që personazhi kryesor në një prej tregimeve për mosrespektimin e rendit në dhomat e zhveshjes së PSG-së është pikërisht Messi.

Lexo po ashtu “Nuk e duam më në PSG” – tifozët ultras do ta fërshëllejnë Messin në ndeshjen e radhës

Më e përfolura deri më tani ishte mosbindja e treguar nga Neymar.

Kujtojmë, se indinjata e tifozëve të PSG-së për Lionel Messin është e madhe pasi klubi i tyre u eliminua në raundin e parë të eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve për të dytin vit radhazi, që nga ardhja e argjentinasit.

Kjo është arsyeja pse ultrasit e PSG-së kanë njoftuar se do të kenë një mesazh në ndeshjen e radhës. /Telegrafi/