Telegrafi

Mësohet shuma se sa do të fitojë klubi që triumfon në finale të Kupës së Kosovës

Feronikeli dhe Trepça ’89 do ta zhvillojnë të shtunën finalen e Digitalb Kupës së Kosovës për edicionin 2018/2019 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Mësohet se fituesi i këtij edicioni do t’i arkëtojë në arkat e klubit 30 mijë euro, kurse skuadra tjetër finaliste do t’i përfitojë 10 mijë euro.

Finalja e madhe do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë duke filluar nga ora 20:30.

Kujtojmë se Feronikeli në këtë edicion e ka fituar titullin kampion në Superligë, kurse Trepça’89 ka përfunduar në pozitën e barazhit.

Ata do të përballen javën që vjen me Vëllaznimin.

Feronikeli tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe nëse Trepça’89 e fiton Kupën, do të marr pjesë në Ligën e Evropës.

Ndryshe, në rast se Feronikeli e fiton edhe Kupën, atëherë në garat e Ligës së Evropës do të marr pjesë Prishtina si nënkampione e Kosovës. /Telegrafi/