Ylli suedez, Zlatan Ibrahimovic pritet të debutojë në fillim të janarit me klubin e ri, Milanin.
Ibrahimovic e mbylli aventurën e tij në MLS te LA Galaxy duke mos vazhduar kontratën dhe duke mbetur si lojtar i lirë.
Pas shumë thashethemeve për të ardhmen, mbrëmë (e premte) u konfirmuar marrëveshja mes suedezit dhe ish-klubit të tij italian, Milanit.
Afrimi i tij si përforcim i janarit u prit shumë mirë nga tifozët Rossonerë, të cilët tani mezi presin ta shohin në fushë me fanellën kuqezi.
Sipas mediumit italian La Gazzetta dello Sport, Ibrahimovic pritet të debutojë me 6 janar me fanellën e kubit nga San Siro.
Në këtë datë, Milani do të luajë në shtëpi ndaj Sampdorias takimin e vlefshëm për javën e 18-të në Serie A.
38-vjeçari luajti për herën e parë te Milani nga viti 2010-2012, ku nga 85 ndeshje shënoi 56 gola dhe fitoi Scudetton gjatë sezonit 2010-2011 dhe Supekupën e Italisë më 2011. /Telegrafi/