Telegrafi

Mësohet arsyeja e largimit të Curtis Harper nga ringu në fillim të meçit: Protestoi se nuk paguhet sa e meriton

Efe Ajagba dhe Curtis Harper (Foto: YouTube/Premier Boxing Champions)

Curtis Harper e befasoi botën e boksit të premten duke u larguar nga ringu me të filluar meçi kundër Efe Ajagbas.

Boksieri amerikan kishte hyrë në ring së bashku me kundërshtarin e tij nga Nigeria, në duelin që duhej të zhvillohej në Minneapolis, mirëpo porsa ra gongu për fillimin e raundit të parë, 30-vjeçari doli nga ringu dhe u largua.

Trajneri  Nate Campbell e ka kritikuar atë duke thënë se ishte turpëruar nga veprimi i boksierit të tij.

“Ky njeri e ka turpëruar veten, gruan e tij, tifozët dhe mua”, ka shkruar Campbell në rrjetet sociale.

Gazetarja Jordan Hardy, e cila punon për Premier Boxing Champions (që e transmetonte meçin), ka thënë se Harper i kishte thënë asaj se po largohej për shkak të parave.

Momenti i daljes nga ringu (Foto: YouTube/Premier Boxing Champions)

“U largua nga ringu, sepse nuk paguhet sa duhet për duelet e tij dhe kërkon respekt”, ka shkruar gazetarja në rrjetet sociale.

Promovuesi Leon Margules ka thënë për BBC Sport se organizatorët nuk e kanë ditur për planin e Harper dhe si rezultat i veprimit të tij, boksieri nuk është paguar.

“Ai ka nënshkruar një kontratë dhe është pajtuar që të ndeshet. Hera e parë që dëgjuam për çështjen e parave, ishte pasi u largua nga ringu’.

Përkundër kërkesave për t’u kthyer, ai nuk u kthye prapa (Foto: YouTube/Premier Boxing Champions)

“Ai erdhi në matje dhe u paraqit në kohë, madje i goditi dorëzat para gongut. Nëse nuk i ka pëlqyer marrëveshja, pse e pranoi duelin dhe paratë?”, ka thënë Margules.

Veprimi i tij nuk ishte parë kurrë në nivelet e larta të boksit, ndërsa personalitete të njohura nga ky sport e kanë kritikuar atë që bëri Harper. Ndërsa natyrisht se ai u fishkëllye nga tifozët që kishin shkuar ta shohin meçin. /Telegrafi/