Site icon Telegrafi

Mësimi tërëditor i kushton Kosovës 66 milionë euro

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka hedhur poshtë mundësinë e organizimit të mësimit tërëditor në shkollat e Kosovës.

Kjo sindikatë ka vlerësuar se eksperimentet e vazhdueshme e kanë dëmtuar arsimin në Kosovën e pasluftës.

Idenë e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për arsimin tërëditor në Kosovë që të fillojë nga viti i ardhshëm në shkollat ku ka kushte SBASHK-u e konsideron si edhe një eksperiment të ri e të dëmshëm ndaj sistemit arsimor, shkruan tutje “Zëri”.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për gazetën se bazuar në praktikat e vendeve të Evropës nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen gjatë mësimit tërëditor.

Ai thotë se janë kuadro të tjera arsimore e mbështetëse që angazhohen pasdite me nxënës.

“SBASHK-u ia kujton MASHT-it dhe DKA-ve se me mësimdhënësit që tani janë në sistemin arsimor nuk mund të mendohet aplikimi i mësimit të tillë tërëditor, sepse ata kanë normat e tyre të plota, 20 orë mësimore me nxënës dhe 20 orë të tjera për përgatitje për procesin mësimor dhe për komunikim me nxënës e me prindër dhe prandaj ata nuk mund të obligohen që të punojnë mbi këtë normë të përcaktuar me ligj dhe me kontratë”, ka thënë ai.

SBASHK-u ka bërë një parallogaritje ku nëse të gjithë nxënësit e Kosovës do ta preferonin shkuarjen në mësimin tërëditor duhet të angazhohen edhe rreth 12.000 kuadro të reja arsimore, si dhe buxheti shtesë prej rreth 66 milionë eurosh për çdo vit. /Zëri/

Exit mobile version