Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë vazhdon të mbetët sfidë dhe një prej shqetësimeve kryesore që kanë mërgata.
Megjithatë, aktualisht atje nuk ka mjaftueshëm interesim nga prindërit që fëmijët të ndjekin mësimet edhe në gjuhën shqipe, por nuk është e rregulluar ende as çështja e pagesave për mësuesit e gjuhës shqipe.
Shumë prej shkollave në Gjermani nuk e paguajnë mësimin plotësues në gjuhën amtare të shteteve të tjera.
Ata ofrojnë objektin shkollor, sigurimin e nxënësve në ato shkolla derisa e vijojnë mësimin dhe përshkrimin në dëftesë në fund të vitit, si dëshmi që fëmija e ka përcjellur me sukses mësimin në gjuhën e tij amtare.
Por nota për këtë ende nuk përfshihet në sistemin e notave, dhe nuk merren përsipër pagesat për mësues të këtyre orëve plotësuese.
Megjithatë, ekzistojnë disa vende në Gjermani ku mësuesit e orëve plotësuese paguhen prej shtetit gjerman, ndërkohë pjesa tjetër e mësuesve këtë punë e bëjnë në baza vullnetare.
Konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, Fatmire Musliu thotë për KosovaPress, se është obligim i shtetit amë që të sigurojë pagesat për mësuesit e orëve plotësuese në gjuhën shqipe.
Ndërkohë, tregon se vërehet mungesë interesimi nga prindërit, që të dërgojnë fëmijët të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.
“Në bisedat që kemi pasur me Ministrinë e Arsimit e Republikës, ata thonë që pagesat dhe mbarëvajtja e mësimit në gjuhën shqipe duhet të jetë kompetencë e shtetit amë. Dhe unë mendoj që duhet shteti ynë, Kosova, të merr përsipër pagesën e mësuesve në diasporë, në bazë të orëve që ata i mbajnë. Ata nuk mbajnë mësim të rregullt sikur mësuesit e gjuhës gjermane që e kanë orarin e orëve më të madh, këta mbajnë më pak dhe në bazë të atyre orëve të paktën një pagesë modeste të bëhet që ta ua lehtësojnë mbajtjen e mësimit. Por numri i vogël i fëmijëve që e vijojnë këtë mësim nuk lidhet shumë me faktorin e pagesave, sepse ka mësues shumë të zellshëm, shumë të motivuar, që e ofrojnë këtë mundësi, por siç duket është mungesa e interesimit të prindërve”, thotë ajo.
Ajo thotë që nuk kanë statistika të mirëqena se cili është numri i fëmijëve shqiptar nëpër shkollat e Frankfurtit, meqë jo të gjithë që regjistrohen në shkollë e deklarojnë gjuhën e tyre amtare.
“Çdo fillim viti shkollor, shkollat e Gjermanisë e ofrojnë një formular në të cilin mund të shënohesh me emër dhe mbiemër ku është rubrika që t’i e shënon cila është gjuha jote amtare. Duke qenë se Gjermania ka pasur një valë të madhe të migrantëve në përgjithësi në 20-30 vitet e fundit, këta e kanë edhe për statistikat e tyre që të dinë se me çfarë kombësish ose çfarë kombësish në cilën shkollë janë, ofrojnë këta formularë që të kenë statistika të sakta. U kisha bërë thirrje të gjithë prindërve që t’i shënojnë fëmijët e tyre në çdo fillim viti shkollor dhe të shënojnë se gjuha e tyre amtare është gjuha shqipe, që t’i kemi edhe ne informatat që sa nxënës kemi nëpër shkolla të republikave të ndryshme apo të komunave të ndryshme në Gjermani, dhe të pajisemi me informata më të sakta në punën tonë dhe të kemi argumente më të forta në biseda m e palën gjermane ku ne i kërkojmë një mbështetje çfarëdo qoftë ajo për mësimin e gjuhës shqipe në Gjermani”, thotë ajo.
Ajo thotë se sfidë kryesore dhe shqetësimi më i madh i qytetarëve është procesi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Andaj, ajo u bën thirrje prindërve që të kujdesën për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e tyre, meqë siç thekson ajo, nëse në një shkollë bëhen 10 fëmijë që dëshirojnë të mësojnë gjuhën amtare, atëherë do të mund të gjenin një mësues dhe të formonin një paralele.
“Çfarëdo shoqate që është, qoftë sportive, kush bisedon me konsullatën, preokupimin kryesor e kanë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, sepse kanë frikë prej asimilimit. I kemi analizuar shumë faktor që luajnë rol në rënien e interesit, por faktori kryesor del të jetë interesimi i prindërve… Prindërit ta marrim me më seriozitet përgatitjen e fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë fëmijët në ato shkolla që janë në funksion dhe aty ku ka mbi 10 fëmijë ne mund të hapim një paralele, të na kontaktojnë dhe t’i pajisim, qoftë në bisedë me gjermanët mund të ndihmojmë, të asistojmë, por edhe t’i pajisim me mjete shkollore të cilat Republika e Kosovës i ofron falas, ta gjejmë një mësues dhe të hapim paralelen”, thotë ajo.
Kujtojmë që pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës është vendosur në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Itali. Megjithatë, deri tani as këto shtete e as Qeveria e Kosovës nuk e ka financuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe.