Sfida me libra nuk është e vetmja çështje me të cilën po ballafaqohen mësimdhënësit dhe nxënësit e pesë shkollave në Prishtinë. Ata kanë probleme edhe me pluhur dhe zhurmën që po bëhet për shkak të renovimeve të thella, të cilat po bëhen e që po ndikojnë edhe në koncentrimin e nxënësve.
Derisa dy prej shkollave po mbajnë procesin mësimor me orar të shkurtuar, prindërit dhe nxënësit kritikojnë këtë mënyrë të renovimit të shkollave.
Se shkollat kanë pasur nevojë për renovim dhe se këto punime nuk po e pengojnë procesin mësimor thotë për kp, drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia.
Ndërsa, të kundërtën po e thonë prindërit dhe nxënësit e kësaj shkollë. Ata u shprehen se renovimet e shkollave duhej të kishin mbaruar në pushimet vjetore, sepse zhurmat dhe hapësirat e ngushtuara të shkollës po ndikojnë në procesin mësimor të nxënësve.
Drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia tha se edhe pse shkolla është në renovim, mësimi fillor ka filluar më kohë, ndërsa thekson se për shkak të kushteve jo të përshtatshme të hapësirës shkollore, mësimi po mbahet me orar të shkurtuar.
“Procesi mësimor ka filluar dhe kemi pas synim që të fillojmë me kohë. Prej praktikave të mëparshme që ka qenë ajo demotivimi se nuk fillohet me kohë. Përkundër faktit që nuk kanë qenë kushtet me filluar për arsyeje se në shkollën tonë po bëhen renovime të thella dhe po rinovohen edhe dyshemetë, muret, nyjat sanitare, po zhvendosen dritaret dhe fushat e sportit, mirëpo për shkak të këtij përfitimi që po konsiderojmë se shkolla me qenë me fat që po bëhen këto renovime, neve kemi bërë një plan b dhe kemi modifikuar, ai plan na ka kushtëzuar që orën mësimore të shkurtojmë prej dy ndërrimeve që punojmë, kemi kaluar te tre ndërrime dhe për me nxjerr ndërrimin e tretë, me i shkurtuar orët nga 45 minuta në 30 minutash” tha Zhitia.
Ajo u shpreh se viti i fundit shkollor ka përfunduar me vonesë dhe se kjo mund të jetë edhe arsyeja që renovimi i shkollës ka filluar në të njëjtën kohë me procesin mësimor.
“Sigurisht që është dashur ndryshe por mos harroni vitin e kaluar procesi mësimor ka zgjatur deri në korrik, mandej punët e administratës deri në fund të korrikut, sikur është bartur pak viti shkollor apo edhe viti thjeshtë kalendarik, hapësira e ngushtë , gjithëherë mundet më mirë, por me këto që është kemi bërë modifikim” u shpreh Zhitia.
Ndërsa, njëri nga prindërit, Lulzim Fetahu tha se për shkak të renovimit nxënësit, janë duke humbur orët e mësimit.
“Është dashur sa ka qenë pushimi, e kanë bërë me tre ndërrime dhe orët e shkurta po humbnim mësim, deri për atë thash më mirë me kryer sa kanë qenë pushime, vetëm po humbin, po punojnë me orar të shkurtër” tha Fazliu.
Edhe Fatmire Morina, e cila e ka fëmijën në shkollën “Pavarësia”, thotë se është mënyrë e gabuar që shkollat rinovohen në çdo shtator kur edhe nis viti shkollor.
“Gjithsesi kjo është përvojë e hidhur se gjithmonë e kemi këtë përvojë kur nuk i bëjnë me rregull, as me kohë të caktuar, por kur fillon shtatori nxënësit shkojnë në shkollë, iu bie në mend që duhet me rinovuar. Po qysh nuk i pengojnë, kjo është logjikë, kush nuk e kupton këtë gjë me përjashtim shkolla nuk e merr vesh këtë kur fëmijët lëshohen dhe shkojnë, këta duhet me shkuar me renovime, por jo në momente kur vijnë p.sh. fëmijët në shkollë, këta ia nisin bëjë renovime, kjo është katastrofë”, tha Morina.
Nxënësja e shkollës “Gjergj Fishta”, Sara Bulliqi u shpreh se ka pengesa në orët e mësimit për shkak të zhurmave nga punëtorët.
“Po kemi shumë pengesa kur po fillon mësimi, po na pengojnë shumë punëtorët dhe shkolla duhet me filluar 00:31 Shkolla duhet me filluar me ndërtuar kur jena kanë në pushim se këta kanë filluar shumë vonë dhe tash po na dalim shumë probleme”, shtoi Bulliqi.
Edhe Urtina, nxënëse e shkollës “Gjergj Fishta”, tha se ndërtimet në shkolla duhet të kishin përfunduar, sepse po shkaktojnë pluhur në ambientet e klasës.
“Po shumë po kemi se këta, sidomos kur jemi paradite, këta po fillojnë menjëherë si po shkojmë ne në shkollë. Është dashur me bërë kur jemi pushim ose kur kryhet mësimi. Tash në ora gjashtë nuk po i mbajmë se shkolla krejt kjo pjesa është duke u rinovuar, tash me mëngjes dhe janë duke rinovuar shkollën, dritaret nuk po hapen, po na hyn pluhuri dhe zhurma, nuk jemi të koncentruar me mësuar”, tha Urtina.
Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati ka thënë se në Prishtinë në tërësi janë rinovuar 22 shkolla, ndërsa pesë shkolla janë në renovim të thellë.
Përndryshe, në shkollat ‘Meto Bajraktari’ dhe ‘Gjergj Fishta’, mësimi po zhvillohet me orar të shkurtuar.