Site icon Telegrafi

Mësime nga të rinjtë e Kosovës: Gjithëpërfshirja garanton barazinë!

Kosova për herë të parë ka një shkollë publike me tualet të qasshëm për fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara falë shtatë të rinjve të programit UPSHIFT të UNICEF-it.

Kur e lexoni thënien e famshme të Mahatma Gandhi “bëhu ndryshimi që do të shohësh”, çfarë ju shkon në mendje? A keni menduar ndonjëherë se ju po bëheni ndryshimi që dëshironi? Pa marrë parasysh përfitimet e juaja personale, por gjithmonë duke menduar për komunitetin ku jetoni? Secilën ditë e më shumë duket sikur gjeneratat e reja, si kjo e Greta Thunberg, po mendojnë më tepër në jetësimin e kësaj thënie më shumë se gjithë të tjerët.

Dhe kjo, po dëshmohet përditë edhe nga rinia në Kosovë.

Rijad Mehmeti nuk është figurë e panjohur për të gjithë ju që keni lexuar tregimet e UNICEF nga Kosova. 14 vjeçari me paralizë cerebrale që po lëviz karrocën e tij si makinë ndryshimi për të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe personat e tjerë që jetojnë me aftësi të kufizuar në Kosovë.

“Një jetë më të mirë për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar”, është kërkesa të cilën ai në vazhdimësi e bën të ditur. Mision që tashmë nuk është vetëm i tij, por edhe shokut të ngushtë të tij Adrijan Ibrahimit, po ashtu 14 vjeç.

Adrijani është një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Rijadit. Dashuria e këtyre dy miqve të pandarë ka bërë që misionit të tyre t’iu bashkohen edhe shumë të ri të tjerë që mendojnë të japin përgjigje ndaj nevojës së paevitueshme për të përmirësuar jetën e fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuar në Kosovë.  Ndër nevojat më të mëdha: gjithpërfshirja e tyre në edukim, shërbime shëndetësore, rehabilitim dhe qasje në hapësira publike.

Varfëria në Kosovë është një ndër shkaktarët kryesor të problemeve sociale dhe mirëqenies së familjeve. Sipas raportit të fundit që ka publikuar UNICEF me titullin: “Analiza e Situatës së Nënave dhe Fëmijëve në Kosovë”, tregon qartë se personat që jetojnë me aftësi të kufizuar janë ndër më të prekurit nga varfëria, së bashku me gratë, fëmijët dhe komunitetet etnike dhe familjet e zonave rurale që jetojnë në Kosovë.

Sa i përket fëmijeve që jetojnë me aftësi të kufizuara në Kosovë, ndër problemet kryesore që kanë ndikuar në mos integrimin e tyre është mungesa e qasjes në arsimim si pasojë e mungesës së kushteve për transportimin e tyre në shkollat më të afërta, rrjedhimisht pamundësisë për qasje në shkolla publike, mungesën e mësuesve mbështetës gjatë orëve të mësimit, etj. Probleme këto për të cilat UNICEF në Kosovë, së bashku me HANDIKOS dhe partnerët e tjerë, vazhdimisht ka avokuar për t’u adresuar dhe përmirësuar.

Rijad Mehmeti dhe shokët e shoqet e tij, megjithatë kanë nisur një hap në këtë drejtim duke dhënë përgjigjen e të rinjve sa i përket kësaj çështje. Si pjesë e grupit avokues “Hëna”, të cilin e kanë formuar në kuadër të organizatës HANDIKOS, Rijadi me Adrijan Ibrahimin, Eldin Gashin, Alban Bejtullahun, Altina dhe Bleona Gashin kanë ideuar projektin për qasjen në shkolla publike për t’ua lehtësuar qasjen bashkëmoshatarëve të tyre që jetojnë me aftë të kufizuara.

Si pjesë e programit UPSHIFT – program për mbështetjen e projekteve të dizajnuar nga të rinjtë – që ka lindur në Kosovë dhe po implementohet në 18 shtete tashmë – grupi “Hëna” kanë aplikuar me një projekt propozim me anë të cilit kanë vendosur të bëjnë të qasshme tualetin e shkollës fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Ani pse, asnjëri prej tyre nuk janë pjesë e kësaj shkolle. “Idea ka qenë domëthënë për mu plotësu të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara sepse e dijmë që ka mungesë të mëdha të qasjes në tualet si në shkolla edhe ashtu edhe në institucione tjera, e na kena vendos për ‘Ismail Qemail’ sepse e dimë që diku afro 40 fëmijë që jetojnë me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin aty”, tregon Rijad Mehmeti, i cili personalisht nuk ka qasje në tualetin e shkollës ku ai vijon mësimin.

“Unë s’kam qasje këtu por kemi mendu që atje janë nevojat më të mëdha se ka më tepër nxënës”, thotë ai.

Shkolla fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë ka 37 fëmijë që jetojnë me aftësi të kufizuar dhe konsiderohet ndër shkollat me më së shumti fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara të integruar në klasa të rregullta, në Kosovë.

Përveç kësaj, është shkolla filllore publike me më së shumti nxënës, me një numër prej 2764 nxënës.

Kimete Dida, ushtron detyrën e drejtoreshës në këtë institucion që prej 15 muajve, derisa është pjesë e kolegjiumit të shkollës tash e 39 vjet.

Me përvojën e saj mbi dyzet vjet në arsim, ajo thotë se kanë vështirësi të shumta për punën me fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara në mungesë mësuesve mbështetës. “Ne kemi klasë me 42 nxënës dhe për të lehtësuar punën e mësuevse kemi vendos në disa klasë nga 35 nxënës dhe një prej tyre është me aftësi të kufizuara, kjo për faktin sepse me këtë numër të nxënësve që kemi është e pamundur të ju përgjigjemi nevojave të të gjithëve”, tregon Dida duke na përcjellë tutje tek tualeti i sapo inaguaraur me qasje për fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara.

“Jemi shkolla e parë publike në Kosovë që kemi tualet të qasshëm, krejt kjo falë atyre fëmijëve”, thotë ajo.

“Është  e mahnitshme se sa shumë solidaritet ka në mes të fëmijëve për shokët dhe shoqet e tyre që kanë vështirësi të natyrave të ndryshme”, tregon tuitje ajo duke ia atribuar të rinjve meritat për arritjen e qasjes në shkollën që ajo drejton. Ky edhe ka qenë qëllimi i grupit “Hëna”.

“Ne mendojmë që në çdo shkollë duhet me pas qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara por e kemi pa që s’po mundet me u siguru kjo dhe nëpërmjet projektit kemi dashtë me ndihmu fëmijët me aftësi të kufizuara”, thotë Aadrijan Ibrahimi nga shkolla fillore “Anton Zako Çajupi”, e fshatit Bardhosh të Prishtinës.

Derisa Eldin Gashi, 14 vjeç,  nga shkolla fillore “Zenel Hajdini” në Kodrën e Trimave të Prishtinës, mendon se duke ofruar këtë qasje u është lehtësuar edhe prindërve të fëmijëve me aftësi  të kufizuara puna e përditshme. “Fëmijët kur shkojnë në shkollë dhe prindërit që i dërgojnë fëmijët deri aty duhet me qëndru tanë kohën me ta dhe kur kanë nevojë duhet me ju ndihmu prindi sepse s’mundet me shku në banjo mësuesi mbështetës ose u dashtë në shtëpi me i dërgu  për nevoja të banjos”, thotë Eldini i bindur se duhet të bëhet më tepër për fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara sepse, sipas tij, janë të diskriminuar.

“Kjo sepse nuk po kanë shumë qasje në Kosovë dhe duhet me bë më shumë që ata mos me u ndi të diskriminum”, thotë Eldini.

Renovimi i tualetit në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë është realizuar në kuadër të programit “UPSHIFT”, të përkrahur nga UNICEF në partneritet me PEN. Dy javë kohë u deshën që të rinjtë e grupit “Hëna” ta vënë idenë e tyre në jetë.

Megjithë këtë hap pozitiv, sipas organizatës HANDIKOS, barrierat fizike vazhdojnë të qëndrojnë përpara personave me aftësi të kufizuara.

“Ne synojmë që qasjen adekuate nëpër objektet publike dhe infrastrukturë ta bëjmë prioritet të politikave lokale dhe kombëtare të vendit tonë, si parakusht i domosdoshëm në pjesëmarrjen e plotë në një shoqëri për të gjithë, e cila u përshtatet nevojave të ndryshme dhe e cila i mundëson tërë popullatës lëvizje të lirë dhe pa pengesa”, thotë kjo organizatë.

Sipas HANDIKOS, është obligim jo vetëm kombëtar por edhe shoqëror që kjo problematikë dhe sfidë të luftohet me vetëdijësim të plotë për rëndësinë e një ambienti të lirë dhe pa barriera, duke punuar në përparimin sa më të shpejtë në përmirësimin e përdorshmërisë së objekteve publike, rrugëve dhe transportit publik, i cili do të jetë lehtësues për të gjithë. Dhe të rinjtë e Kosovës po dëshmojnë që një gjë e tillë mund të arrihet nëse të gjithë e jetësojmë thënien e Gandhit dhe “ndryshimet që duam të shohim, e nisim tek vetja”, respektivisht duke punuar të shohim ndryshimin në komunitetin tonë.

Shkruan: Leonora Aliu

 

 

Exit mobile version