Nga: Victoria Lupton / Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Taktikat e Vladimir Putinit në Ukrainë, janë shumë të njohura për sirianët: rrethimi, bombardimi i zonave civile, masakrat dhe raportimet e përdhunimit si armë lufte. Po aq e njohur është edhe kriza e refugjatëve. Deri sot, pothuajse 6.6 milionë sirianë dhe pesë milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendet e tyre të origjinës dhe miliona të tjerë janë zhvendosur përbrenda vendit.
Kriza e madhe e refugjatëve të dekadës së fundit na jep shumë mësime për këtë dekadë. Shpresoj që qeveritë do të mësojnë nga përvoja siriane teksa i strehojnë refugjatët ukrainas, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten.
Gjëja e parë që vendet pritëse duhet të dinë është se shumica e refugjatëve mbesin refugjatë për kohë të gjatë. Në nivel global, kohëzgjatja mesatare e zhvendosjes është 20 vjet. Derisa vazhdojnë të jenë të rëndësishme strehimi dhe financat emergjente, angazhimi për ta do të jetë përherë e më i ngadaltë dhe më i mundimshëm.
Tensionet do të rriten me kalimin e kohës. Me gjithë bujarinë frymëzuese të polakëve ndaj ukrainasve, do të shfaqen çarjet, veçanërisht pasi dy kombet kanë të kaluar të përbashkët të trazuar. Këto probleme do të përkeqësohen në rajonet më të varfra që presin përqendrime më të mëdha të refugjatëve. Kjo ndodhi në Luginën Beka të Libanit dhe ndoshta do të ndodhë në dy provincat e varfra të Polonisë në kufi me Ukrainën.
Familjet libaneze mirëpritën refugjatët në fillim të luftës siriane, por disponimi u ngrys në vitin 2014, kur nisi rënia ekonomike. Agjencitë e ndihmës nuk ndihmuan duke ofruar programe që fillimisht synim i kishin vetëm sirianët. Në vitin 2016, intervistova një grup peshkatarësh libanezë. Ishin detyruar të refuzonin një grantin e BE-së që kërkonte që shumica e përfituesve të jenë sirianë. “Por, refugjatët nuk dinë të peshkojnë. Nuk vijnë as nga bregu!”, më tha një peshkatar. Për të shmangur nxitjen e tensioneve, qeveritë dhe organizatat duhet të planifikojnë mbështetje afatgjate për komunitetet pritëse dhe për të ardhurit.
Iniciativat e vogla dhe afatgjata të dizajnuara nga përdoruesit e shërbimeve, janë të vlefshme dhe shpesh më ekonomike, siç janë qendrat Tahaddi në Liban. Banorët vendas ndiejnë më shumë pronësi ndaj skemave të tilla, dhe për këtë arsye investohet më shumë në suksesin e tyre. Por, këto programe shkatërrohen lehtësisht nga strukturat e errëta burokratike të financimit. Duhet të sigurohet financim fleksibil, me qasje imagjinative për ta zhvendosur, nga organizatat e vogla, barrën e kujdesit që kërkohet prej vendeve të mëdha donatore.
Nuk mund t’i injorojmë as sfidat specifike me të cilat përballen gratë refugjate, të cilat shpesh janë kujdestaret e vetme për fëmijët ose të moshuarit, ose të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Kërkohen grante të vogla për iniciativat e udhëhequra nga gratë, hapësirat e sigurta fizike dhe programe të udhëheqjes për t’i ndihmuar ato që t’i drejtojnë komunitetet gjatë ekzilit.
Ekziston mundësi më e madhe në këtë krizë, për ta zhvendosur konsensusin për të ndihmuar të gjithë refugjatët, pavarësisht nga vendet e origjinës së tyre. Kishte shqetësime të arsyeshme në lidhje me kontrastin midis mirëpritjes së ngrohtë të shumë qeverive perëndimore ndaj refugjatëve ukrainas dhe përpjekjeve të tyre për t’i penguar refugjatët nga jugu global.
Në vend që t’ia transferojë përgjegjësitë e Ruandës, Mbretëria e Bashkuar duhet të dëshmojë udhëheqjen morale dhe politike duke vendosur kuota të arritshme refugjatësh për ukrainasit dhe të tjerët njësoj. Koalicioni global i vendosjes së refugjatëve i Rory Stewartit, është udhërrëfyes për këtë. Në mënyrë të ngjashme, aktivizimi i shpejtë i Direktivës për Mbrojtjen e Përkohshme që asnjëherë më parë nuk u përdor nga BE, ua ofron refugjatëve ukrainas rezidencat trevjeçare dhe të drejtën e menjëhershme për të punuar, ndaj duhet të përdoret si plan për të ndihmuar popujt tjerë të zhvendosur.
Kërkesa është për politikat që do të ndihmojnë jo vetëm ukrainasit, por refugjatët e së ardhmes. Derisa nuk arrijmë te qasja e drejtë, refugjatët do të luftojnë për t’u integruar dhe kështu do të vazhdojnë të përdoren si pazare dhe armë gjeopolitike, duke gërryer parimet e dinjitetit universal njerëzor mbi të cilin është themeluar demokracia jonë. /Telegrafi/