Site icon Telegrafi

Mësimdhënësit e Qendrës së Kompetencës kërcënojnë me grevë nëse nuk u jepen pagat

Qendra e Kompetencës në Malishevë, e cila është shkollë profesionale e arsimit të mesëm të lartë, e ka nisur gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti shkollor me grevë, shkruan sot Koha Ditore.

Në ditën e parë, të martën, afro 50 mësimdhënësit e kësaj shkolle janë solidarizuar me disa nga kolegët e tyre, të cilët nuk kanë marrë paga gjatë tërë gjysmëvjetorit të parë.

Bashkim Krasniqi, kryetar i Këshillit Grevist dhe njëri ndër mësimdhënësit që nuk kanë marrë paga për disa muaj, ka thënë për “Kohën Ditore” se në grevën e nisur ditën e parë kanë hyrë të gjithë mësimdhënësit.

Mësimdhënësit kanë qenë të vendosur që të mos e ndërpresin grevën deri në zgjidhjen e problemeve të krijuara rreth pagesave të të gjithë kolektivit të shkollës, por, sipas tij, ata pastaj kanë vendosur që t’i kthehen mësimit pas ndërhyrjes së zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët kanë premtuar zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. /Telegrafi/

Exit mobile version