Site icon Telegrafi

Mësimdhënësit me coronavirus, shkolla “Arif Shala” në Korroticë të Poshtme të Drenasit kalon në sistem online

Shkolla “Arif Shala” në Korroticë e Poshtme të Drenasit do të kalojë për dy javë në sistemin online të ndjekjes së procesit mësimor, për shkak se një pjesë e stafit mësimdhënës ka rezultuar me coronavirus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i kësaj shkolle Murtez Shala, pas marrjes së informacionit nga IKSHPK mbi rezultatet e testit të kryer për 26 mësimdhënës, katër prej të cilëve sot kanë dalë pozitivë, ndërkohë që në pritje janë edhe tetë mostra.

“Në bazë të rekomandimit të IKSHPK-së dhe koordinimit me DKA në Drenas, vendosëm që për këto dy javë, procesi mësimor të zhvillohet sipas skenarit C të MASH – online. Për çdo informacion, apo ndryshim të situatës, do të njoftoheni me kohë. Të prekurve nga virusi, drejtoria e shkollës iu uron shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në procesin edukativo-arsimor”, ka thënë Shala.

Ndryshe, SHFMU “Arif Shala” ka 319 nxënës dhe 28 mësimdhënës. Procesi mësimor për gjysmëvjetorin e parë këtë vit shkollor në nivel vendi do të përfundojë më 18 dhjetor, më herët se sa ishte paraparë, për shkak të gjendjes me pandeminë coronavirus.

Exit mobile version