Telegrafi

Mesiç rikthehet në politikë

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç rikthehet në skenën politike në vend si kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, të caktuara për më 11 shtator.

Mesiç do të jetë në listën e kandidatëve për deputet të Koalicionit Popullor, i udhëhequr nga Partia Socialdemokratike (SDP) e ish-kryeministrit kroat, Zoran Milanoviç.

Marrëveshja për kandidaturën e Mesiçit është arritur dje në takimin e përfaqësuesve të SDP-së me delegacionin e Partisë Kroate të Pensionistëve (HSU), e cila është një nga anëtaret e Koalicionit Popullor.

Lideri i HSU-së, Silvano Hrelja tha se Mesiç do të jetë kandidat për deputet në listën që përfshin rajonin e Zagrebit.

“Mesiç na tha se dëshironte të ndihmonte Koalicionin Popullor dhe ne i thamë se do të pyesim tek partnerët e koalicionit. Pyetëm dhe ata na thanë se nuk ka asnjë problem që ai të gjendet në listë”, tha Hrelja.

Sipas marrëveshjes, Mesiç do të jetë madje në vendin e dhjetë në listën e Koalicionit Popullor, por falë modelit të votave preferenciale, ka gjasa të mëdha të sigurojë mandat si deputet.

Mundësinë për rikthimin në politikë, Mesiç e paralajmëroi nga fundi i muajit prill, kur Parlamenti i Kroacisë ia hoqi zyrën, për të cilën ai kishte të drejtë zotërimi si ish-president i vendit.

“Gjatë gjashtë viteve të fundit mundohesha të mos merrem me politikën aktuale, por pasi më nxisin në politikën aktuale, angazhimi im do të jetë i vërtetë. Në çdo rast tani do të hyjë në politikë. Isha kryetar komune, kryetar i qeverisë dhe i parlamentit, në dy mandate president i vendit si dhe president i fundit i Jugosllavisë. Kam përvojë të pasur”, thotë Mesiç.