Që në vitin 1923 Reinhold Gerling ka shkruar librin “Meshkujt me të cilët nuk duhet të martoheni – këshilla dhe rekomandime”, duke i porositur damat si t’i shmangin zgjedhjet e gabuara martesore
Gerling ka qenë goxha i drejtpërdrejtë dhe i rreptë, prandaj ka theksuar që vlerësohen meshkujt me karakter të fortë dhe që ata dallohen nga hunda e gjerë dhe e lartë, nga buza e sipërme e shkurtër dhe buza e poshtme e lëshuar, transmeton Telegrafi.
Për t’u shmangur janë ata meshkuj që kanë hundë “të dredhur”, sepse kanë prirje për tradhti, ndërsa janë edhe gënjeshtarë. Mirëpo nuk ka qenë dashamirës as ndaj djemve me shikim të këndshëm.
– Zakonisht nga goja nxjerrin mjaltë, ndërkaq nga zemra helm. Sheh në syrin e tjetrit qimen, ndërkaq në syrin e vet nuk e sheh as trarin. Vajza nuk bën të udhëhiqet nga deklaratat e magjishme dashurore, sepse janë mashtruese dhe kalimtare, por patjetër duhet të vëzhgojë me kujdes se çfarë fshihet pas atyre fjalëve – këshillon Gerling.
Veshi normal, shton autori, shënon edhe karakterin normal, ashtu siç tregon forma jonormale problematikën.
Për rrudhat thonë që janë karakteristikë e shpirtit të njeriut, andaj sa më të gjata në linja të pjerrëta janë shprehje e fisnikërisë, ndërkaq të shkurtrat tregojnë prirje për sjellje të këqija.
Është me rëndësi të studiohet edhe dorëshkrimi i mashkullit, sepse ai, sipas Gerlingut, është shprehja më e rëndësishme e karakterit të tij.
Shkronjat zbulojnë a është mashkulli lajkatar (nëse janë të shtrembra) ose ka karakter të fortë mbi të cilin thyhet çdo gur (nëse janë të qarta).
Gerlingu në fund ka këshilluar damat që të mos mbështeten në mendimet e mikeve, sepse ato nuk mund të hulumtojnë dhe të depërtojnë në karakterin e mashkullit për të cilin nuk janë të interesuara. /Telegrafi/