Site icon Telegrafi

Meshkujt në Evropë, femrat të harruara

Natyrisht se mungesa e mjeteve financiare është problemi kryesor dhe arsyeja pse skuadrat tërhiqen nga garat, por më parë nuk ka ndodhur që skuadra kampione të mos marrin pjesë në garat e edicionit të radhës.

U bë shumë zhurmë me volejbollistët e Prishtinës, të cilët ndonëse janë kampionë dhe fitues të kupës paralajmëruan se nuk do t’i nisin fare garat e këtij edicioni, por pas shumë telasheve i nisën, ndërkohë që nuk dihet se si do t’i përfundojnë.

Aspak më mirë nuk është gjendja në skuadrën kampione të Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave, Sigal Prishtina, e cila duket se nuk do t’i fillojë fare garat. Befasia është më e madhe kur dihet se meshkujt e kësaj skuadre tashmë janë pjesë e garave evropiane, ndërkohë që si po shkojnë gjërat, femrat kanë mbetur kurrkund dhe nën mëshirën e dikujt.

“Nuk kemi filluar fare me stërvitje dhe nuk di se çka të them. Unë nuk mund t’i ftoj basketbollistet nëse mua askush nga kryesia e klubit nuk më fton për t’i nisur përgatitjet, kështu që nuk e di se çka po ndodh. Është mirë që t’i pyesni drejtuesit e klubit, të cilët e dinë më mirë gjendjen në klub”, tha trajneri i Sigalit, Fidan Shatri.

Edhe basketbollistet janë në hall të madh. Shumica prej tyre tashmë i kanë lëshuar radhët e skuadrës kampione dhe kanë gjetur skuadra tjera si Penza apo Drita.

“Asnjë stërvitje nuk e kemi zhvilluar dhe jam shumë e zhgënjyer. Është turp që një skuadër kampione dhe me emër ta madh të mos jetë në gjendje t’i fillojë garat. Askush asnjëherë nuk na ka ftuar dhe nuk e kemi asnjë stërvitje. Nga shoqet e skuadrës si dhe nga federata kam kuptuar se ne nuk do të marrim pjesë në gara. Disa basketbolliste kanë shkuar në Penzë e disa të tjera në Dritë. Nëse nuk i fillojmë garat as këto që kanë mbetur nuk do të mbesin këtu”, tha basketbollistja, Artina Hasani. “Shpresoj se do të zgjidhet ky problem dhe se do të marrim pjesë në gara. Do të isha shumë e lumtur nëse ndodh një gjë e tillë”, tha Hasani.

Derisa me kryetarin Blerand Stavileci dhe drejtorin Florim Miftarin ishte e pamundur të kontaktojmë pasi siç merret vesh janë jashtë vendit, zyrtari i Sigal Prishtinës, Lulzim Ibrahimi, u shpreh: “ Nuk jam shumë në rrjedha se çfarë po ndodh me skuadrën në konkurrencën e femrave, por nuk besoj se klubi do të tërhiqet nga garat. Javën tjetër do të mblidhet Bordi dhe do të kuptohet më shumë, por besoj se do të jemi pjesë e garave edhe në këtë edicion”. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version