Site icon Telegrafi

Mesazhi i përzemërt i Xavit në drejtim të tifozëve të Barcelonës pas largimit

Xavi ka falënderuar tifozët e Barcelonës për mbështetjen e tyre gjatë një periudhe plot tension në krye të klubit.

Sot (e premte) u konfirmua se Xavi nuk do të qëndronte në krye përtej ndeshjes së kësaj të diele kundër Sevillas, pas një mosmarrëveshjeje me presidentin Joan Laporta që përfundimisht zhbëu të gjithë përparimin e bërë kur Xavi ndryshoi vendimin e tij fillestar për t’u larguar në prill.

Pasi lajmi për largimin e tij u bë i ditur, Xavi shkroi një letër emocionuese për ata që i kanë qëndruar pranë që kur prej se u rikthye tek Barça në nëntor të vitit 2021.

“Të dashur tifozë, koha ime në stolin e Barçës do të përfundojë të dielën. Nuk është kurrë e lehtë të largohesh nga klubi i jetës tënde, por e bëj me shumë krenari, pas dy vitesh e gjysmë në krye të një zhveshtoreje që ka qenë si një familje e dytë”, ka thënë fillimisht Xavi.

Lexo po ashtu “Sa keq i trajton Barcelona legjendat e tyre”, trajneri i Sevillës me deklaratë goditëse

“Dua të falënderoj tifozët për mbështetjen dhe dashurinë që kanë shfaqur dhe të cilët kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe më kanë treguar gjithmonë të njëjtën dashuri si gjatë kohës sime si lojtar. Nga e diela do të jem edhe një tifoz më shumë në tribuna”.

“Kam punuar me një grup lojtarësh fantastikë dhe me një staf spektakolar. Falë të gjithëve arritëm qëllimet që i kishim vendosur, ndërsa vitin e kaluar e mbyllëm me një Ligë dhe një Superkupë. Këtë sezon gjërat nuk shkuan ashtu siç donim, por ne bashkuam forcat tona dhe ndihmuam në rritjen e një brezi të ri futbollistësh të rinj nga La Masia që frymëzojnë të gjithë ne tifozët e Barcelonës”, është shprehur ai.

“Shumë faleminderit të gjithëve. Për tifozët, lojtarët, stafin, punonjësit e klubit, presidentin, bordin e drejtorëve, drejtorët sportivë, mediat dhe të gjithë me të cilët kam ndarë rrugëtimin gjatë këtyre dy sezoneve e gjysmë”.

“I uroj më të mirën klubit që mbaj në zemër. Rroftë Barça”, përfundoi Xavi./Telegrafi/

Exit mobile version