Telegrafi

Mesazhi në një shishe i shkruar nga dy vajza që kërkonin të dashur është gjetur 56 vjet më vonë – gjendet edhe njëra nga vajzat

Një mesazh në një shishe që përmban shënime të shkruara nga dy adoleshente në kërkim të të dashurve është gjetur 56 vjet më vonë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “mesazhet” kanë qarkulluar në grykëderdhjen e Humber për gati gjashtë dekada, pasi Jennifer Coleman dhe Janet Blankley i shkruan ato në moshën 15-vjeçare.

Përpjekjet e tyre të vetme “për të gjetur dashurinë” u zbuluan për herë të parë pak ditë më parë, jo shumë larg vendit ku u hodhën fillimisht në Scunthorpe.

Shishja me tapë kishte shënime të datës 9 gusht të vitit 1966 – pak ditë pasi Anglia fitoi për herë të fundit Kupën e Botës në futboll.

Janet dhe Jennifer ftuan djem rreth moshës së tyre për t’u shkruar atyre me një foto të tyre.

Por ato nuk morën ndonjë përgjigje – derisa një nënë dhe vajza e saj – Tracey Marshall, 59 vjeçe dhe Charlotte, 19 vjeçe – e panë shishen të shtunën, më 2 prill.

Charlotte e tërhoqi zvarrë dhe e pastroi dhe vuri re se kishte diçka brenda.

Dhe pas postimit të asaj që gjetën në mediat sociale, rrëfimi për të u shpërnda gjithandej.

Më vonë, Tracey e gjeti zonjën Coleman në internet – pavarësisht se ajo emigroi në Australi me familjen në vitin 1973 – dhe planifikon t’ia kthejë letrën asaj.

Ajo nuk u martua kurrë dhe nuk ka fëmijë, por shpjegoi: “Kam takuar një burrë nga Birmingham në të 50-at e mia. Ne kishim një marrëdhënie të bukur, por fatkeqësisht ai vdiq katër vjet më parë”.

Zonja Coleman tani dëshiron të takojë sërish Janet, pasi çifti humbi kontaktin.

Ajo mendon se ishin në një udhëtim ditor në Jug Ferriby kur ajo hodhi shishen në lumë.

Familjes së Janet iu tha gjithashtu për gjetjen dhe ata thonë se ajo ende jeton në Grantham. /Telegrafi/