Telegrafi

Mesazhi në një shishe i një vajze skoceze gjendet në Norvegji pas 25 vjetësh

Një mesazh në një shishe e lëshuar nga një vajzë e re në Aberdeenshire, Skoci, është gjetur në Norvegji 25 vjet më vonë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Joanna Buchan ishte tetë vjeçe kur shishja u hodh nga një varkë peshkimi pranë Peterhead në vitin 1996 për një projekt shkollor.

Shishja u gjet 1,287 kilometra larg në Gasvaer në Norvegjinë veriore nga Elena Andreassen Haga, e cila gjeti Joanna-n në mediet sociale.

Joanna në atë letër kishte shkruar për qenin e saj Dougal, për shtëpinë e saj të madhe dhe dashurinë ndaj ëmbëlsirave.

E shkruar mjeshtërisht me dorë dhe drejtuar ‘zbuluesit’ të kësaj letre, Joanna shkroi gjithashtu që “nuk pëlqen djemtë”.

Elena Andreassen Haga

Elena, 37-vjeçare, tha për BBC se e gjeti shishen në verën e vitit 2020 dhe mund të shihte menjëherë se kishte diçka brenda.

“Ne e hapëm dhe duhej të ishim shumë të kujdesshëm sepse, siç mund ta shihni nga fotografia e letrës, me siguri ka qenë në ujë për disa kohë, por ne arritëm ta shpalosnim dhe ishim në gjendje ta lexonim, se kjo letër vinte nga Skocia, kështu që ishte disi e lezetshme”, tha ajo.

Joanna tani është 34 vjeçe dhe mjeke në New South Wales në Australi. /Telegrafi/

Joanna Buchan