Telegrafi

Mesazhi i koduar i një dhurate

22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Qeveria serbe ua bëri dhuratë serbëve të Kosovës statujën e Car Llazarit. Mesazhi mbetet i paqartë kur kihet parasysh fati I këtij princi mesjetar serb, I cili bashkë me princër të tjerë, në mes tyre edhe shqiptarë, i doli përballë ushtrisë osmane në Fushën e Kosovës, të cilën edhe e humbën.

Kështu, një protestë ishte paralajmëruar këto ditë në Mitrovicë, kundër ngritjes së një përmendoreje, të këtij princi mesjetar, të cilin serbët e sotëm parapëlqejnë të e quajnë Car Llazari. Për të mjaftë qytetarë të Kosovës, edhe pse e dinë që askush më nuk e ngjallë atë, prapëseprapë mendojnë se kjo paraqet ëndrrën shtetërore serbe për vazhdimësi, përkatësisht për ringjallje të perandorisë së vjetër serbe në Ballkan, për të mbushur zbrazëtirën që la pas vetës shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë së Dytë.

Nga kjo protestë nuk doli gjë, edhe pse mediat i frynë këtij zjarri. Ajo të cilën nuk po e kuptoja në krejt atë zhurmë ishte fakti se përse sot, pas 600 vjetësh, askënd nuk e pengon fakti se në fushën ku pretendohet se u zhvillua Beteja e famshme e Kosovës, tashmë ekziston një tyrbe kushtuar, Sulltan Muratit, i cili po ashtu u vra, në këtë betejë.

Pra, Car Llazari dhe Sulltan Murati ishin dy udhëheqës ushtarakë e shtetërorë, pra personalitete të cilat nga historia mesjetare, apo nga legjendat dhe mitet e shndërruara në ideologji zyrtare të shteteve serbe apo turke, thuhet se ishin vrarë në Betejën e Kosovës.

Një perandori e fuqishme në lindjen e sajë po zëvendësonte, po i pushtonte principatat mesjetare, apo ajo çka kishte mbetur nga pas dezintegrimit të perandorisë mijëvjeçare bIzantine, dhe mini-perandorive serbe dhe bullgare të cilat dolën nga ajo, si përpjekje për të krijuar një baraspeshë të re në këtë hapësirë.

Car Llazari ishte në krye të ushtrive që luftonin kundër asaj të Perandorisë Osmane që udhëhiqej nga Sultan Muraati. Të dy thuhet se u vranë në këtë betejë.

Në një postim timin në Facebook, vërejta se në vend të zemërimit të opinionit, opozitës, vetë Qeveria e Kosovës do të duhej të jepte leje që kjo përmendore të ngrihet po aty ku pretendohet se ishte zhvilluar kjo betejë dhe të kompletonte atë që përfaqëson në fakt trashëgimi kulturore për qytetarët që jetojnë këtu.

Në fakt, shumë figura mitike sot e dimë që fare nuk kanë ekzistuar, por ato përfaqësojnë një kohë, përfaqësojnë besimet apo synimet e njerëzve të asaj kohe dhe si e tillë e kanë vlerën kulturore. Kështu, Aleksandri i Maqedonisë nuk ishte maqedonas, përkatësisht sllavomaqedonas, e ka ide se edhe vrasësi i Sulltan Muratit nuk ishte serb, por ishte shqiptarë me prejardhje.

Kjo betejë ka edhe heronj tjerë, pozitivë apo negativë varësisht se nga cili kënd apo perspektive shikohen. Ishin brankoviqët apo Obliqi dhe mite të tjera të cilat vështirë se mund të dokumentohen me fakte historike. Sidoqoftë, një perandori po i pushtonte tokat, të cilat perandoria në shpërbërje, serbe, i kishte pushtuar dy shekuj më parë nga një perandori tjetër. Pra, nuk kishte çlirimtarë, kishte vetëm luftë për territore. Në emër të një Zoti tjetër po pushtoheshin territore, po robëroheshin popuj, dhe vështirë se mund të negociohet diçka me dikën që vjen në emër të një Zoti. Prandaj, sot, në kohën e alternatives globale kundër perandorive mesjetare, për një hapje kufijsh, kulturash, lëvizje të lire të njerëzve, mallrave, kapitalit, i vetmi hero mbetet qytetari me vullnetin e tij të lirë, me të drejtat dhe liritë e tij universale. Në emër të qytetarëve mund të arrihet konsensus më i lehtë, mund të përafrohen interesat dhe mund të bashkëjetohet me dallimet.

Por, nuk mendojnë kështu të gjithë. “Edhe Amerika është një perandori e re”, po shkruante në një koment një lexues në profilin tim në Facebook, ku kisha postuar një reflektim timin lidhur me pretendimet qesharake, reciproke do të thosha, të serbëve dhe turqve të sotëm, se në periudha të caktuara historike ata, përkatësisht perandoritë mesjetare “të tyre”, kishin qenë çlirimtarë për shqiptarët dhe se i kishin shpëtuar nga pala tjetër.

Turqit pretendojnë se i shpëtuan shqiptarët në shekullin e XV-të, nga serbët. Ndërkohë, serbët pretendojnë se më 1913-tën i çliruan shqiptarët, së paku pjesën e cila mbeti jashtë Shqipërisë londineze, nga Perandoria Osmane e cila, në fakt, asokohe ishte buzë shpartallimit, përkatësisht të shndërrimit të saj në një shtet laik, në formën e shtetit nacional, pra turk.

Perandoria Osmane, në shekullin e XV-të thjesht e kishte pushtuar përfundimisht këtë hapësirë, e cila më pare kishte qenë e pushtuar nga një mini-perandori tjetër që quhej serbe, më herët ajo bullgare, para saj ajo bizantine, romake… dhe me fiset ilire futemi në mjegull me gjithë këtë rrëfim të sotëm.

Në Ballkan aktualisht po zhvillohet kjo luftë e kamufluar, e cila në fakt shpërfaq të gjitha pretendimet rreth Evropës. Rusia, përmes aleatëve të saj të dikurshëm sllavë dhe ortodoksë, synon të jetë prijëse e tyre. Ndërkohë, Turqia, e ballafaquar me rezervat evropiane ndaj integrimit të saj të ngutshëm në BE, po përpiqet që duke e vendosur fenë në epiqendër, të bëhet prijëse e botës islame, përfshirë këtu edhe ato vende në Ballkan ku arritën ta mbjellin këtë ideologji, dhe të tejkalojë kështu përçarjet etnike në vend dhe të gjitha konfliktet e tjera të brendshme.

Shqiptarët në Ballkan janë përpara një dileme historike: të mbështeten te një perandori, ose thënë më saktë te një fuqi e cila ëndërron të ribëhet perandori, dhe të mbledh sërish rreth vetes vasalët e dikurshëm, apo të ndjek rrugën e vet të zhvillimit dhe të marrë rolin që i takon si popull vital dhe me një shtrirje dhe karakteristika gjeopolitike të cilat e bëjnë faktor integrues në rajonin, i cili ka pretendime të bëhet pjesë e familjes së popujve të lire, si pretendon të jetë BE, dhe në përgjithësi, qytetërimi perëndimor!?

Pra, përse të shqetësohemi për një përmendore më shumë, e cila në fund të fundit nuk paraqet asgjë reale dhe nuk çon peshë në marrëdhëniet e reja me popujt përreth të cilët do të ndihen të lire vetëm kur të pranojnë të kaluarën, ashtu si ka qenë, dhe si diçka që asnjëherë nuk ka përfaqësuar interes të qytetare, as parimet universale të lirisë, barazisë apo vëllazërisë mes njerëzve.

Qytetari shqiptar, por jo vetëm ai, do të kuptojnë shumë shpejtë se thirrjet në të kaluarën janë përpjekje për me i skllavërua sërish në emër të zotrave të cilët sipas tyre e mohojnë dhe luftojnë njëri-tjetrin, dhe për t’i përdorur të gjitha dallimet në mes të njerëzve, për t’i vënë kundër njëri-tjetrit në një luftë e cila çon në shfarosje, duke pasur parasysh kapacitet[et shfarosëse të cilat i ka arritur njerëzimi.

Askush më nuk e mban zap botën, as i ndalon njerëzit, idetë dhe mallrat të lëvizin lirshëm në këtë nivel të zhvillimit tekniko-teknologjik. Askush nuk mund ta pushtojë globin në emër të asnjë zoti të pranueshëm për të gjithë. Zoti i ri global është qytetari dhe vetëm në emër të tij, me gjitha dallimet për të cilat dikur është luftuar, sado idealiste të duket, do të formësohet rendi i ri dhe baraspesha e re globale.
Betejën ende të papërfunduar të Kosovës nuk e fitojnë dot as perandoritë e moçme, as fuqitë e reja me ëndrra të moçme. Kjo betejë mbyllet veç me qytetari. Vetëm qytetari i lirë mund të ngadhënjejë mbi perandoritë dhe perandorët!