Një vajze nga Australia mjekët i kanë dhënë vetëm edhe një javë jetë, pasi që trupi i saj ka filluar të refuzojë mushkëritë që i ishin transplantuar dy vjet më parë, dhe tani ajo ka filluar t’a shpërndajë mesazhin e saj të fundit.
Grimerja Nardia Miller 25-vjeçe nga Brisbane, gjatë vitit 2014 i është nënshtruar një operacioni për t’i transplantuar mushkëritë, pasi që gjatë gjithë jetës së saj ka vuajtur nga fibroza cistike, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, dy vite më vonë trupi i saj ka filluar t’i refuzojë mushkëritë. Ndërkaq, Miller thotë se është “lodhur nga betejat e vazhdueshme”.
Kushërira e saj Tacy Douglas Miller, ka filluar një aksion për mbledhjen e të hollave që i fejuari i Nardias, Liam Fidgerald të mos mbes vetëm dhe i zhytur në borxhe pas vdekjes së saj.
“Tërë jetën e ka kaluar nëpër spitale, duke humbur shumë festa dhe ahengje të organizuar nga miqtë dhe të afërmit, dhe vazhdimisht shpresonte se një ditë do të bëhet më mirë”, ka deklaruar Tacy.
Vajzës së pafat lajmi më i keq i mundshëm i është kumtuar saktë para një jave. Dhe pas atij momenti, ajo kishte shkruar një mesazh prekës:
“Ndoshta ju njoh që nga fëmijëria, e ndoshta disave para një jave apo dhjetë viteve. Por pas një jave nuk do t’ju shoh më kurrë. Por gjithmonë do t’i dua të gjitha momentet që i kemi kaluar së bashku. Gjërat nganjëherë në jetë nuk dalin ashtu siç i dëshirojmë, dhe ka shumë gjëra që i kam humbur dhe të cilat kurrë nuk do të mund t’i përjetojë, por nga lart do të qeshi sepse dikur kam qenë gjallë. Nuk është që edhe tani po heq dorë, por trupi im nuk po mundet më. Dhe për fund, ju lutem që ta jetoni jetën në maksimum sikur të ishte dita juaj e fundit e jetës”, ka shkruar Nardia.
Deri më tani janë mbledhur 21 mijë dollarë për ndihmë të fejuarit të saj, kurse Nardia ka shlyer profilin e saj në Instagram. /Telegrafi/