Telegrafi

Mesazhi emocionues i Shalës, i kërkon falje tifozëve

Ishte padyshim lojtari më i mirë në fushë, duke vrapuar në çdo cep dhe duke shkatërruar shumë aksione të kundërshtarëve.

Fjala është për Herolind Shalën i cili dha edhe një asistim të mrekullueshëm për Atdhe Nuhiun që shënoi golin e vetëm të Kosovës në humbjen 1-2 nga Islanda.

Mesfushori i skuadrës turke Kasimpasa, ka shkruar një mesazh emocionues në faqen e tij në Facebook.

Numri gjashtë i Kosovës ka kërkuar falje për humbjen por duke i premtuar tifozëve se Kosova e madhe do të vijë.

“U munduam shumë, dhamë gjithçka nga vetja jonë për të arritur një rezultat pozitiv, një fitore për ju që na përkrahni gjithmonë dhe nuk po na leni të vetëm në asnjë moment”.

“Nuk ia dolëm në fund, por ne do të vazhdojmë rrugën e nisur, do t’iu bëjmë krenar, do ta shpërblejmë besimin tuaj me një kampionat evropian apo botëror së shpejti. Faleminderit për mbështetjen dhe na falni për zhgënjimin. Ju duam dardanë”, shkroi Shala.

Herolindi edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Turqisë ishte më i dalluari në fushë, dhe pozita e tij e re duket se iu ka përshtatur mirë në qendër të mesfushës. /Telegrafi/