Gjatë ditës së mërkurë (12 qershor) është bërë përurimi i bustit të i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, afër monumentit të ‘New Born-it” në Prishtinë.
Një bust i tillë është ngritur në shenjë falënderimi për kontributin e saj, në 20 vjetorin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Duke u shprehur e nderuar për një bust të tillë, ish-sekretarja në shaka ka thënë: “Faleminderit që më keni bërë kaq të gjatë”.
Gjithashtu, siç është bërë e ditur, tani sheshi ku është vendosur busti do ta mbajë emrin “Madeleine Albright”.
Dhe aty është vendosur edhe një pllakë, në të cilën është shkruar një mesazh i ish-sekretares së Shtetit, thënë vite më parë, përcjell Telegrafi.
Në të shkruan: “Le të zotohemi se në Kosovë do të ketë një lindje të re të lirisë bazuar në tolerancën, ligjin dhe respektin për çdo jetë njerëzore”.
Një fjali e tillë është nxjerrë si citat nga një adresim që kishte bërë ish-sekretarja amerikane, më 29 korrik të vitit 1999, për popullin e Kosovës.
Ndryshe, gjatë ditës së mërkurë, në Kosovë, përveç ish-sekretares Albright kanë qëndruar edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-gjenerali Wesley Clark, dhe personalitete të tjera nga rajoni dhe bota.
Ardhja e tyre në Kosovë përkon me shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s, në qershor të vitit 1999. /Telegrafi/