Site icon Telegrafi

Mesazhi i Agim Ademit pas mbylljes së kampionatit

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka dhënë pasin e tij të urimit për mbylljen e rregull të kampionatit si në Superligë po ashtu edhe në Ligën e Parë.

Ai i ka uruar kampionët dhe ata që i kanë janë ngjitur një ligë më lartë.

Fundjavën që e lamë pas u përmbyll pjesa e rregullt e kampionatit në IPKO Superligë dhe në Ligën e Parë, derisa edhe në ligat tjera kemi arritur në finish.

Pas një gare shumë interesante dhe me rivalitet të skajshëm sportiv, që mbase nuk mbahet mend si e tillë deri tash, titullit të kampionit në elitën e futbollit tonë iu gëzua me meritë KF “Feronikeli”, që në ndeshjen e fundit të kampionatit arriti të shënojë fitore ndaj konkurrentit direkt Prishtinës, për t’u kurorëzuar me titullin e tretë në histori të klubit.

Jam i lumtur që ky kampionat na dhuroi emocione deri në 90 minutat e fundit, ku edhe një herë u dëshmua se nëse punohet seriozisht, vendosen objektivat me kohë dhe ka investime në klube, atëherë edhe suksesi është i arritshëm.

Krahas Drenasit, dje, festë kishte edhe në Vushtrri, ku klubi me traditë KF “Vushtrria” iu gëzua titullit të kampionit në Ligën e Parë, ku po ashtu pati konkurrencë të jashtëzakonshme për dy vendet që siguruan inkuadrimin në elitë, por këtij qëllimi në fund ia arritën KF “Vushtrria” dhe KF “Dukagjini” nga Klina.

Këtë edicion me triumf e mbylli edhe KF “Ujvara e Malishevës” në Ligën e Dytë – Grupi A, që siguroi kalimin në Ligën e Parë, kurse garë shumë e fortë për kampion është në Grupin B, ku java e fundit do të vendosë nëse Ulpiana apo Dardana do ta sigurojnë ngjitjen direkte në një rang më lartë.

Titujve të kampionit iu gëzuan edhe KF “Llapi” në Superligë dhe KF “Ballkani” në Ligën e Parë në kategorinë e juniorëve si dhe KF “2 Korriku” në atë të kadetëve.

Prandaj, shfrytëzoj rastin që në emër të KE të FFK-së t’i uroj drejtuesit e këtyre klubeve, futbollistët dhe tifozët e tyre për sukseset e arritura, me shpresën dhe besimin që Feronikeli si kampion i ri i elitës do të na përfaqësojë denjësisht në paraeliminatoret e Ligës së Kampionëve, e që sivjet për fat të mirë do të organizohen në vendin tonë.

Ndërkohë, KF “Vushtrria” dhe KF “Dukagjini” pa dyshim se do t’i japin ngjyra të reja elitës, duke pasur parasysh organizimin e tyre por edhe përkrahjen e gjerë që gëzojnë nga tifozët.

Duke i përgëzuar të gjitha klubet për një edicion në përgjithësi korrekt, shpresoj se ky kampionat do t’i shërbejë të gjithëve si nxitje për organizim edhe më të mirë për edicionin e ardhshëm në të gjitha rangjet, në mënyrë që të rrisim edhe më tutje cilësinë e lojës por edhe shikueshmërinë në futbollin tonë.

Suksese të gjithëve!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Exit mobile version