Telegrafi

Mesazhi i Agim Ademit në 8 vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Të vendosur të sigurojmë të ardhme të ndritshme

.

Federata e Futbollit të Kosovës tetë vite më parë është pranuar me drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit botërorë FIFA.

Ishte 13 maji i vitit 2016, kur Kosova u pranua në FIFA me 141 vota pro nga 205 delegatë pjesëmarrës në kongresin e 66-të të FIFA-s.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka ardhur me një urim në tetë vjetorin e pranimit në FIFA, teksa ka falënderuar të gjithë ish-kryetarët e FFK-së që kanë bërë punë të madhe për ndërkombëtarizimin e futbollit.

Lexo po ashtu Tetë vite nga pranimi i Kosovës në FIFA

Mesazhi i plotë nga Agim Ademi (Pa ndërhyrje):

Sot, tetë vjet më parë, Kosovës i janë hapur dyert e shtëpisë së madhe të futbollit botëror – FIFA. 13 maj 2016 është një datë tjetër e rëndësishme, e paharrueshme dhe historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por edhe për shtetin e Kosovës.

Nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje pa përshëndetur punën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në këtë rrugëtim. Duke filluar epoka e guximshme e mëvetësimit nën udhëheqjen e Agim Bytyqit, vazhduar me epokën e rezistencës dhe ekzistencës nën drejtimin e Rexhep Abdullahut e Sabri Hashanit, dhe me epokën e ndërkombëtarizimit nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri, çdo pjesëmarrës ka lënë gjurmët e tij dhe gëzon respekt.

Me këtë rast, dua të falënderoj gjeneratat e tëra të futbollistëve, e sidomos ata të periudhës së sakrificës, trajnerët, zyrtarët e federatës dhe klubeve, donatorët, si dhe të gjithë ata që kanë punuar parreshtur për të mbajtur gjallë futbollin dhe ëndrrën tonë të përbashkët.

Pa vizionin, angazhimin, dashurinë e pasionin e secilit që ishte pjesë e futbollit prej dy dekadave e gjysmë izolimi, Kosova nuk do të kishte arritur këtë sukses.

Në këtë datë të veçantë, falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe simpatinë që ka për vendin tonë.

Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi.

Bashkërisht, kemi bërë përparime të mëdha në masovizimin dhe zhvillimin e futbollit si dhe kemi ndihmuar të rinjtë tanë të përfshihen në këtë sport.

Federata e Futbollit të Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më tej futbollin në vendin tonë. Me hartimin e strategjisë “Themelet e së ardhmes 2024-2028” dhe punën në përmirësimin e infrastrukturës bashkë me institucionet e vendit, jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme të ndritshme.

Në emër të KE të FFK-së, uroj të gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë ditë të shënuar dhe jam i bindur se duke punuar së bashku do të ndërtojmë një futboll cilësor dhe një Kosovë më të fortë në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/