Profili zyrtar në Twitter i Izraelit në gjuhën arabe citoi një varg nga Kurani teksa tregonte njëkohësisht pasojat e bombardimeve në Gaza.
Mesazhi përmbante një ajet nga Surja Al-Fil e Kur’anit, e cila i referohet ndëshkimit të Zotit ndaj Popullit të Elefantit, i cili u përpoq të shkatërronte Qaben e Shenjtë shekuj më parë. “A nuk e keni menduar, sesi i trajtoi Zoti juaj aleatët e Elefantit?, thuhej në mesazh.
“Kjo është një kujtesë e aftësisë së Zotit për të mbështetur ata që kanë të drejtë mbi gënjeshtrën, veçanërisht pasi Hamasi është krahu i Iranit që kërkon t’i vërë flakën rajonit“, thuhej në një mesazh pasues ku Izraeli e etiketonte agresionin e tij ndaj palestinezëve, që ka vrarë me dhjetëra civilë, si një akt i mbështetur nga hyu. Më tej, sqarohej se forcat izraelite të mbrojtjes janë duke sulmuar pozicionet e Hamasit në Gaza. Ushtria e shtetit hebre nisi që nga 10 maji sulme të pandërprera në këtë territor.
Që prej atëherë, nga bombardimet kanë humbur jetën 212 palestinezë, përfshirë 61 fëmijë dhe 35 gra e janë plagosur 1,400 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë Palestineze. Sulmet ajrore në Gaza u paraprinë nga disa ditë tensionesh dhe incidenti në Jeruzalemin Lindor të pushtuar, ku qindra palestinezë u sulmuan nga forcat izraelite në Xhaminë Al-Aqsa dhe në lagjen Sheikh Jarrah të qytetit.
Izraeli e pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite 1967 dhe e aneksoi të gjithë qytetin në 1980, një lëvizje që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. /tch/