Site icon Telegrafi

Mesazh nga Ukraina: Bojkotojeni që tani naftën e përgjakshme të Rusisë

Nga: Oleg Ustenko, këshilltar i presidentit të Ukrainës / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Nafta ruse po e financon pushtimin e Ukrainës dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm, ashtu sikur paratë nga shitja e diamanteve të përgjakshëm që e nxitën luftën brutale civile në Afrikë. Duhet ta ndërpresim këtë financim. Kjo tregti mundet dhe duhet të ndalet përmes presionit të bërë nga ju, nga konsumatorët, kundrejt kompanive dhe qeverive.

Vladimir Putin shet pesë milionë fuçi nafte të papërpunuar në ditë, një pjesë e madhe e së cilës shkon në Evropë. Sot, teksa liderët e BE-së mblidhen për të diskutuar për krizën, ju bëjmë thirrje njerëzve, kudo, që ta bojkotojnë që tash naftën ruse.

Po marrim mbështetje të madhe nga shumë qeveri e njerëz. Ata po i pranojnë refugjatët tanë, po na dërgojnë ushqime dhe ilaçe, dhe në Kombet e Bashkuara votuan kundër luftës së Putinit. Të martën, administrata Biden u pajtua t’i ndalojë të gjitha importet e naftës dhe gazit rus në ShBA. Por, liderët politikë në Gjermani, në Itali, në Britani të Madhe dhe disa vende të tjera kanë frikë të vendosin embargo të menjëhershme. Kanë frikë se çmimet e naftës do të rriten dhe se votuesit e tyre nuk do ta kuptojnë pse, ose do të jenë shumë të zemëruar për ta kuptuar.

Tashmë, në rrugë dhe nëpër mediat sociale, jeni duke e shprehur mbështetjen për Ukrainën. I vlerësojmë të gjitha videot që dërgojnë mesazh të qartë se jeni të tmerruar nga horrori që ka sjellë Putini. Por, qeveritë tuaja ende kanë frikë se nëse bëjnë embargo për naftën ruse, do t’i mbani ata kundër vetes.

Nëse bëhet bojkoti ndaj naftës ruse, mund të vendoset plani për t’i adresuar çështjet afatshkurtra të furnizimit. Në terma afatgjatë është e qartë se është imperativ i sigurisë kombëtare për, të gjitha vendet, që të largohen me shpejtësi nga varësia e tyre prej lëndëve djegëse fosile. Ajo që kërkojmë vetëm se do ta përshpejtojë tranzicionin e nevojshëm për adresimin e krizës klimatike. Megjithatë, pavarësisht vrasjeve pa dallim që po ndodhin në rrugët e Ukrainës dhe pavarësisht premtimeve për veprim nga liderët më të fuqishëm botërorë në Cop26, në nëntor, qeveritë evropiane ende po hezitojnë.

Nëse nuk mund t’i japim fund epokës së karburanteve fosile përballë masakrës së civilëve dhe shkatërrimit të planetit tonë, çfarë do të duhet?

Le ta bëjmë më të lehtë për ta. Po e organizojmë një koalicion për t’i gjurmuar cisternat që e transportojnë naftën ruse e për t’ju treguar se ku janë. Rusët do të përpiqen ta fshehin këtë informacion, por ne do t’ju tregojmë ku janë anijet.

Javën e kaluar, “Shell” e bleu një ngarkesë nafte ruse sepse, siç thuhet, ishte në dispozicion me një zbritje prej pak më pak se 30 dollarë për fuçi. Reagimi publik ishte i menjëhershëm dhe më 8 mars, “Shell” u zotua të mos blinte më naftë ruse. Kemi nevojë që të gjitha kompanitë e naftës ta bëjnë të njëjtën gjë.

Këto kompani mund të mos i dëgjojnë klithmat e fëmijëve ukrainas, por ata do t’ju dëgjojnë juve, klientëve të tyre. Shumica e naftës përdoret për transport, përfshirë makinat personale, kamionët dhe aeroplanët. Ju lusim të mos blini benzinë ose naftë nga asnjë kompani që e përpunon naftën ruse. Mos fluturoni në një linjë ajrore që përdor kerozinë të prodhuar nga nafta ruse.

Kërkoni nga udhëheqësit tuaj që nafta ruse kurrë të mos shkarkohet në portet tuaja. Mos e siguroni ngarkesën e tyre, mos u jepni atyre me qira anije dhe mos transportoni naftë ose produkt të rafinuar brenda vendeve tuaja. Ju lusim, mos e bëni asnjë transaksion financiar personal ose korporativ me kompanitë ruse të naftës, me menaxherët ose me pronarët e tyre. Të gjitha këto janë naftë dhe para të përgjakshme.

Çdo ekzekutiv që merr vendimin për të blerë naftë gjaku ose ndonjë produkt që rrjedh nga nafta e gjakut, do të dëmtojë brendin e vet dhe do të shkatërrojë vlerën e aksionarëve – kushdo që është aq i paaftë, menjëherë duhet të shkarkohet. Ne do t’ia bëjmë këtë me dije – bordeve të drejtorëve dhe aksionarëve, kudo.

Do të ndihmojmë gjithashtu në ngritjen e padive, në emër të ukrainasve të pafajshëm që kanë pësuar dëme të pariparueshme, kundër çdo individi apo kompanie që përfiton nga nafta e përgjakshme. Në masën e lejuar me ligj, në të gjitha juridiksionet përkatëse, në emër të të vdekurve, të të plagosurve, të të zhvendosurve dhe të të traumatizuarve, do t’i ndjekim masat për dëmshpërblimin maksimal nga të gjitha palët që tani po e ndihmojnë Rusinë.

Putini mendon se është i fortë, sepse Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë. Por, është i dobët sepse varet nga ju dhe ju jeni të zemëruar sepse ai po i terrorizon civilët ukrainas dhe po e kërcënon botën.

Ne po i bëjmë balë Putinit dhe do të fitojmë. Ushtarët tanë janë trajnuar mirë dhe miliona qytetarë tanë po i marrin armët. Nuk ka asnjë mënyrë që Putini të marrë vendin dhe ta kontrollojë një shtet me më shumë se 40 milionë njerëz të zemëruar, të gjithë duke bërtitur: “Shkoni në shtëpi!”

Por, shumë ukrainas, përfshirë mijëra e mijëra fëmijë, po vuajnë çdo orë të çdo dite. Civilët e paarmatosur vazhdimisht po bombardohen. Ata fshihen nën tokë. Ata nuk kanë ushqim apo ujë të mjaftueshëm. Shumicës u mungojnë ilaçet e nevojshme. Më shumë se 50 fëmijë kanë vdekur në rrethana tragjike. Mijëra jetë janë në rrezik.

Reagimi kundër diamanteve të përgjakshëm e ka ndryshuar botën, por u deshën vite për këtë. Lakmia është shumë e madhe. Por, ne, njerëzit, jemi më të fuqishëm dhe kur e përqendrojmë zemërimin tonë mund të arrijmë gjithçka dhe t’i ndalojmë këdo.

Duhet t’i japim fund kësaj lufte. Ju mund të na ndihmoni. U thoni qeverive tuaja: jo në emrin tim. Bojkotojeni që tani naftën ruse. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version