Site icon Telegrafi

Mes të vërtetës së shkrimit…. dhe kujtesës

Persida Asllani

Nga Anton Pashku tek Anton… Ky është vektori që zgjedh autori i kësaj vepre monografike për të shprehur në harkun e rreth dyzet e pesë viteve jete studimore një rrugëtim e rrëfim kompleks, prej kritiku e dëshmuesi, prej studiuesi e shkrimtari, prej miku të shtrenjtë jete e letërsie.

Nga Anton Pashku – shkrimtari, krijuesi i një proze sa unike aq autentike në letrat shqipe, te Antoni – miku, te Antoni – njeriu, tek i cili përqendrohet me dendësinë e një brilanti jeta e pandashme e letërsisë dhe e qenies, deri në fund, e për rrjedhojë, qysh në fillim, sikundërse figurshëm na e vërteton me trajtat ciklike të çdo krijimi të vet. Kësaj arkitekture i përgjigjet edhe ky libër, i cili na kujton në fjalinë e tij të fundit se “libri për Anton Pashkun mbetet i hapur”.

Ndaj, po qysh prej fillimit, Sabri Hamiti ka zgjedhur ta shqiptojë këtë pikëtakim të Anton Pashkut me Antonin te vetja, ta shqiptojë subjektiven e leximit dhe qasjes së vet, që nis te vepra, mbërrin te personi e rikthehet pashmangshmërisht te vepra shkrimore autentike e njeriut autentik.

Është thuajse e pandodhshme që një libër studimor të nisë me një mise en abyme, por përmes kësaj zgjedhjeje të rrezikshme, Sabri Hamiti ndërton vetëm në pak rreshta skenën ku vepra e autorit lidhet me kohën, vendin dhe me dramacitetin e komunikimit letrar njëkohësisht me letërsinë shqipe dhe me vetë autorin e këtij libri. “Këtu e njëzet vjet më parë, kur isha nxënës i gjimnazit (…) një profesor imi (…) më pat pyetur nëse i kisha lexuar tregimet e Anton Pashkut, duke ma përmendur sidomos tregimin Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë. […] Ishte pranvera e vitit 1966 dhe profesori im, duke dashur të fliste për problemet e këtyre tregimeve simbolike, i rifiguronte në të folurën e vet”.

Dhe kështu, kjo dëshmi e vitit 1986 [si tekst analizues hyrës i botimit të veprës së Pashkut nga shtëpia botuese “Rilindja”] ndërton regjistrin e nevojshëm për leximin e këtij libri monografik: Lexime të Anton Pashkut! Prej andej vijnë të gjitha shtjellimet e tjera që prekin në mënyrë sistematike intepretimin, analizën, klasifikimin, identifikimin, tematologjinë, bibliografinë e biografinë.

Prej andej, koha e shkrimit dhe e botimit të tyre prej autorit Sabri Hamiti shndërrohet në një kohë sa dëshmuese, aq edhe fiksionale, që shenjon më mirë se çdo gjë tjetër, kronotopinë e pavarur të jetës së letërsisë dhe miqësive të jetës. Lexime të Anton Pashkut! Lexime të tregimeve të tij nën përcaktorin “TREGIME FANTASTIKE”; lexime të “ROMANIT OH” si “Triumf inteligjence” dhe “Kryevepër letrare”; lexime të dramatikës si “TRAGJEDI MODERNE” që zhvendoset nga dramatikja si tragjikë te klasikja si modernitet; për të mbërritur tek “ANTONI I FUNDIT”, si lexim sistemik i tekstit përmes “Nyjave të Antonit”, si lexim i teksteve të fundit letrare, për të mbërritur, natyrshëm, dhimbshëm, te “Kujtimi i Antonit”, rikthimit të tij postum te shkrimi i mikut të jetës e letrave, si një biografemë bartesiane.

Te kjo pjesë përmbyllëse, personalisht, gjatë leximit tim, kam ndjerë sprovën e rëndë të shkrimit që vjen për jetën e dhimbjen e mikut. Por le të ndalemi fillimisht në disa aspekte të këtij libri, e kryesisht në dy pjesët e tij të para. Anton Pashku është një tregimtar i lindur! Për të na bindur, analiza e Sabri Hamiti rrok sa tiparet precioze të përgjitshme të zhanrit, aq edhe kulmimin e tyre në tregimin pashkian.

Vepra e tij tregimtare dhe veçanërisht tregimet e tij antologjike Kulla, Floçka, Në qarr po rrinte vasha, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur etj., janë për Hamitin si në nivelin e shprehjes letrare, të strukturimit të brendshëm dhe atë të domethënieve letrare, vepra të një siteze shembullore, ku autori “kërkon përsosjen letrare, veprën letrare të kryer, në të cilën jepet esenca fara e jetës dhe frytet e kuptimit dhe të mendimit”.

Kujtoj këtu se edhe titulli gjithëpërfshirës për botimin e tregimeve më 1986-n nga “Rilindja” në trajtën “Tregime fantastike” vjen po si propozim i studiuesit e kritikut Hamiti, duke e vendosur tregimtarinë e Pashkut jo në një përcaktim zhanror sesa në një dilemë leximi, ku theksi nuk i vihet më (përfundimisht falë penës së Pashkut) situatës së shkruar si përshkrim apo pasqyrim i reales, por të shkruar si krijim, si fantazim, “në shkallën kur realiteti bëhet literatura më fantastike e mundshme”.

Nga analizat e fokusuara mbi tregime më vete, ajo kushtuar Kullës, është, mbetet për mua, edhe mbas shumë leximesh, një shkrim interpretativ i përsosur për një tregim të përsosur. Ndërsa interpretimet e romanit Oh më ngjan se i gjegjen thuajse intuitivisht simfonisë së gjerë ku të përfshijnë leximet e këtij teksti, të cilin falë strukturës së përmbyllur, kohëve subjektive që zhvendosen nga historikja te mitikja, falë shkrimit të së shkuarës që e flak veten drejt të ardhmes së pakohë të utopisë, mund ta rrokësh si një forcë mendimi e fryme vagneriane, që vetë Sabri Hamiti e cilëson në mënyrë të përkufizueshme “Triumf i Inteligjencës”, pikërisht si sintezë e tematizimeve të mëparshme e të mëvonshme, nga tregimet te dramat, nga dhuna e prishja e identitetit kombëtar, lufta për pushtet e përpjekjet për asimilim kombëtar e kulturor në njërën anë; dhe ruajtja e identitetit kombëtar, autoktonisë shpirtërore, gjakimit të humanitetit në botën njerëzore në anën tjetër -.

Ndërkaq, leximi i Oh-ut edhe nën ironinë dhe dritën e errët të utopisë negative mendoj se përbën një nga analizat më pasuruese për veprën dhe një nga interpretimet më origjinale e bashkëkohore, duke e vendsour Oh-un si një veprër dinjotoze në raftet e Bibliotekës së Utopive botërore, krahas Zamjatin-it, Huxley-t e Oruell-it.

Në fakt, vepra e Anton Pashkut rri natyrshëm krahas simotrave të veta botërore në shumë aspekte e tipare të saj, por mbi të gjitha për karakterin thelbësisht modern dhe shkrimin letrar që kërkon shprehjen e vet më të përsosur. Kështu, ndonëse qëllimi i kësaj monografie nuk ka qenë evidentimi i ndonjë intertekstualiteti letrar në nivel të letërsisë botërore, asnjë proces kritik tashmë mbi Pashkun nuk mund të anashkalojë rezonimin që teksti i tij ka, për nga stili, tematizimi, figurshmëria, strukturimi etj., me letërsinë botërore.

Prej këndej vijnë në tekstin e Hamitit kujtimi i prozave dhe stileve tipizuese të Kamysë, Kafkës, Folknerit, Xhojsit, Beketit, Proustit. Po citoj këtu vetëm një pamje prej kësaj “kujtese të tekstit”, të cilën e përzgjodha, si për informacionin që përcjell ashtu edhe (sidomos) për nivelin e thellë estetik me të cilin është shkruar, e për pasojë e dëshmon të vërtetën e thellë estetike të shkrimit pashkian:

“Dhe përfundimisht, është në zemrën e këtyre tregimeve një vetmi, madje një rrjetë artistike e krijuar nga mjerimi i saj, nga mjerimi i vetvetes, nga dhembja shpirtërore që krijon ajo, që ngrihet ta mbijetojë atë në një art të bukur, siç bënte Marsel Prusti”. Këtë proces të vetmisë dhe vetmimit, në rrethanat e krijimit të veprës së përsosur, por edhe në rrethanat e moskuptimit të saj e autorit të vet, në epokën e vet, Hamiti e heton më të fuqishëm se kurrë te shkrimet e fundit të Pashkut, në intimen e vetmisë së vet, në “Antonin e fundit”.

Në dy esetë kushtuar dy teksteve të fundit të Pashkut, me titull “Aventurat e Tezes” (1982) dhe “Betja” (1989) vetmia bëhet “tmerruese”, dhe gjeneron klithjen për ndihmë, klithje “të heshtur” e vetmitare, në kërkim të kuptimit të lirisë, shprehje e fortë e një solilokuimi tragjik, nga vetvetja te vetvetja.

“Kryengritës me lutje – përkufizon autori – kundër moralizimit agresiv e ideologjisë së dhunës, Antoni shkruan letërsi si shkrim të jetës, ku shfaqet klithja e saj autentike”. Dhe teksa shkrimtari i ka dhënë fund shkrimit të tij “të fundit” në trajtën e sinkopuar “Eh, Bete…/ Eh, pra…/ Hë…”, në përmbyllje të këtyre “leximeve të Anton Pashkut” rivjen Antoni.

Miku i jetës e letërsisë, Sabriu, di si ta rikthejë Antonin, edhe një herë, si vetje, në polifoninë e tekstit e të jetës. Ai e sjell në trajtën e brishtë të “Kujtimit të Antonit” mes poetikes dhe shënimit intim, mes të vërtetës subjektive të kujtesës dhe të vërtetës së shkrimit, si një biografemë, tek e cila dikur Roland Barthes zbulonte “rikthimin miqësor të shkrimtarit në zemër të veprës e të leximit”.

Ky rikthim i Antonit është tashmë i pandashëm nga Leximet e Anton Pashkut. Nuk na mbetet veçse ta lexojmë e ndoshta të shqiptojmë me zë vargjet që Sabriu shkroi në ditët që vijuan ikjen e mikut:

E dinte se lindi përpara mbarimit

E dinte se shkonte përpara fillimit

Jetonte ndërmjet tokës e qiellit…

Exit mobile version