Telegrafi

Mes shumë vendimeve kontroverse, Vallecano i jep leksion Real Madridit dhe e njofton me humbjen e parë në ligë – Barcelona mbetet lidere

Foto: Rayo Vallecano/Twitter

Real Madridi ka pësuar disfatë 3-2 në udhëtim te Rayo Vallecano në kuadër të javës së 13-të në La Liga.

Pas vetëm pesë minutash lojë, Vallecano kaloi në epërsi me anë të Santi Comesana, që u asistua prej Fran Garcia.

Por, Los Blancos ia dolën ta përmbysnin rezultatin me dy gola brenda katër minutash. Fillimisht, Luka Modric ia doli të shënonte nga penalltia në minutën e 37-të.

Për 2-1 u përkujdes Eder Militao që u asistua prej David Alabas.

Mirëpo, gëzimi i kampionit në fuqi zgjati vetëm tre minuta, pasi Alvaro Garcia (44’), i barazoi shifrat në 2-2 me një asistim të Palazon.

45 minutat e parë përfunduan me rezultatin 2-2, derisa në pjesën e dytë ishte një tjetër skenar.

Në minutën e 61-të, nga bankina e Vallecanos kishte protesta të ashpra për një veprim anti-sportiv nga Luka Modric që mori karton të verdhë, derisa trajneri i nikoqirëve Andoni Iraola u ndëshkua me karton të kuq.

Vallecano ishte magjik, pasi ata ia dolën të rikthenin epërsinë me golin e Oscar Trejo (67’), që realizoi nga penalltia.

Carlo Ancelotti tentoi që me disa zëvendësime të merrte së paku një pikë, por ishin të pasuksesshëm.

Pas javës së 13-të, Real Madridi gjendet në vendin e dytë me 32 pikë, dy më pak se lideri Barcelona, ndërsa në xhiron e 14-të do të kenë punë me Cadizin. /Telegrafi/


Standings provided by Sofascore