Aktorja e njohur shqiptare, Ema Andrea, ka rrëfyer për herë të parë një nga momentet e saj më të vështira në jetë.
Mes lotëve, ajo ka treguar se ka qenë gati për të kryer vetëvrasje, por që ka qenë vajza e saj, Sara, ajo e cila e ka ndaluar.
“Ishte një mendim afër veprimit. Ka qenë punë dhjetë minutash që do ta kthenin mendimin në veprim. Ishte Sara, që hapi derën dhe tha ‘Mami pse nuk po fle?’. E ka dërguar natyrisht një engjëll, diçka më e madhe se unë. Është një moment që të duket sikur do të kapësh një dritë tjetër, është shumë i rrezikshëm. Uroj dhe këshilloj që njerëzit t’u rrinë pranë njerëzve të tyre, t’i kuptojnë më mirë, se askush nuk i gjen dot arsyet e vërteta; është zonë shumë e errët, të cilën ne mund ta luftojmë duke mos i lënë njerëzit tanë vetëm”, tha Ema.
Ajo më tej ka rrëfyer edhe arsyen se përse po përballej me ato mendime të errëta.
“Psikozë n’4:48’ është një moment shumë i rëndësishëm i imi, jo vetëm sepse u realizua një shfaqje ndryshe, [por sepse ishte] një tekst i cili më ka bërë të gjej shumë veten dhe ndoshta për herë të parë ka qenë një moment shumë i vështirë i vetes sime me veten time…kur unë, mund të merrja edhe vendime fatale për veten. Kjo shfaqje më ka shpëtuar,” u shpreh Andrea.
Aktorja tutje theksoi se në atë periudhë ishte shumë e mërzitur dhe se i dukej vetja dështake.
“Më dukej vetja e dështuar, që po më shfrytëzonin, që nuk ia dola. Për mua ishte një vetmi e tejskajshme, isha e braktisur, në të gjitha krahët. Dhe nuk ia fal atyre që ma bënë, në sensin që nuk do t’i fus kurrë në zemër dhe në hapësirën time ata njerëz që e kanë rritur atë frustim dhe më kanë shfrytëzuar në momentet e mia të dobëta”. /Telegrafi/