Site icon Telegrafi

Mes emocionesh dhe lotësh: Pas dy muajsh e gjysmë Sergio Rico del nga spitali – kishte humbur 20 kilogramë

Portieri i PSG-së, Sergio Rico ka dalë nga spitali sot, dhjetë javë pas aksidentit ku luftoi për jetën.

29-vjeçari është goditur nga një kalë me thundër në kokë, ku kishte rënë në koma.

Sipas informacioneve të para nga mediat spanjolle, Rico ka thyer rruazat e qafës dhe ka pësuar goditje në tru dhe për fatin e tij, shumë shpejt ka mbërritur një ambulancë e cila e ka transferuar me helikopter në një spital në Sevilla, ku i kanë shpëtuar jetën.

Pas kësaj, pati një proces rikuperimi prej dy muajsh e gjysmë në kujdesin intensiv dhe The Athletic shkroi se Rico humbi më shumë se 20 kilogramë dhe afër 30 për qind të muskujve të tij sa ishte në koma për 22 ditë.

“Mirëdita të gjithëve. Ndihem mjaft mirë. Doja të them disa fjalë për të falënderuar familjen time dhe gruan time. Dua të falënderoj botën e futbollit që më dërgoi mesazhe mbështetjeje”.

Lexo po ashtu Pas tri javësh Sergio Rico zgjohet nga koma, ai mezi lëviz

“Të gjithë ata që u ndalën për një minutë për të më mbështetur, i falënderoj. Gjithashtu, sigurisht, për spitalin Virgen del Rocio, të cilët janë profesionistë të jashtëzakonshëm. Ndihem shumë me emocione. Faleminderit mbi të gjitha gruas sime që kalonte pothuajse 20 orë në ditë me mua”, ka thënë Rico mes lotësh.

Në fund të fundit, rikthimi në futboll nuk është prioritet për Ricon në këtë fazë të rikuperimit të tij, megjithëse mjekët kanë qenë pozitivë gjatë gjithë procesit për sa kohë që rehabilitimi i tij vazhdon të ecë siç ishte planifikuar. /Telegrafi/

Exit mobile version