Site icon Telegrafi

Mes atdhetarizmit realist dhe atij folklorik

Ka kohë që në zhvillimet tona politike është bërë i ndjeshëm konkurrimi ndërpartiak për të marrë në duar flamurin e atdhetarizmit. Kjo garë e lindur dhe pranishme para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës, mendoj se u fuqizua dhe u shndërrua në një objektiv qendror të luftës për pushtet mes partive tona pas shpalljes së Pavarësisë.

Shtatë vjet, veç përforcimit të raporteve miqësore me aleatët tanë të mëdhenj, kontribuesve vendimtarë në fitoren e luftës sonë çlirimtare, shërbyen për afrimin me BE-në, për marrjen e statusit të anëtarit vëzhgues të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, dhe për lëvizjen e lirë në të ardhmen të qytetarëve tanë në Evropë. Fillimi, zhvillimi dhe ecuria e derisotme e bisedimeve Kosovë-Serbi, është një kapitull i rëndësishëm i ekzistencës dhe i konsolidimit tonë si shtet.

Për çdo arritje të rëndësishme në konsolidimin e shtetit dhe të demokracisë, Kosova iu është dhe do t’u jetë mirënjohse për ndihmën e vazhdueshme aleatëve tanë të mëdhenj. Mirënjohja ngrihet dhe mbahet mbi besimin e provuar; çdo shenjë mosbesimi ndaj saj e gërvisht jo pak atë. Vendimi ynë kuvendor për mosmiratimin e krijimit të Gjykatës Speciale u konsiderua dhe u komentua zyrtarisht, gati me urgjencë, nga SHBA-ja, Gjermania dhe shtete tjera mike. Me kundërshtimin tonë më 26 qershor shkaktuam (duke qenë të paralajmëruar qartë prej tyre) mosaprovimin, për të mos thënë zhgënjimin e dy shtyllave më të fuqishme shtetërore mbi të cilat jemi ngritur.

Mbahemi dhe besojmë se do të bëhemi pjesë intregrale e gjithë institucioneve ndërkombëtare dhe anëtare dinjitoze e BE-së. Para gati një muaji, në një shkrim të botuar jam përpjekur të argumentoj domosdoshmërinë e themelimit të Gjykatës Speciale. E kam kërkuar krijimin e saj, jo në emër të SHBA-së, BE-së, por në emër të Xhavit Halitit, të emrit të dytë të përmendur në Raportin e D.Martyt, për të ashtuquajturën “trafik organesh”. Kam qenë nismëtar për fillimin e menjëhershëm të hetimeve, pa u njohur me akuzën, sepse thashethemnaja në mjediset shoqërore, në mediet tona e ndërkombëtare është më vrastare sesa çfarëdo vendimi nga një gjykatë funksionale dhe vepruese nën pushtetin e demokracisë. E respektoj ligjin dhe jam i gatshëm t’i nënshtrohem çdo strukture gjyqësore të inicuar e mbështetur nga aleatët tanë.

Por nuk jam në një mendje me një nga miqtë e mi, që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha: “Edhe Xhavit Haliti nuk është më Zeka”. Jam dhe do të jem njëherësh Zeka dhe Xhavit Haliti. Jam dhe do të jem protagonist, për aq sa mundem në shërbim të Kosovës. Në adoleshencë pranova edhe burgun edhe arratinë. Në pjekuri mora përgjegjësi në organizimin dhe drejtimin e UÇK-së. Në vazhdimësi kam qenë dhe mbetem veprues në konsolidimin dhe përparimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës. Atdhetarizmi i Zekës e mbisundon Xhavitin duke qenë më realist, duke iu nënshtruar realizmit, që i shërben të sotmes, ardhmërisë së Kosovës dhe mbarë qytetarëve tanë.

Në seancën kuvendore të fundit të qershorit u shfaq qartë dallimi mes atdhetarizmit realist dhe atij folklorik. “Njollosja” e UÇK-së, “varësia e qeverisjes nga të huajt”, “humbja e sovranitetit” të Kosovës etj., u bënë arsye të largimit dhe moto të kundërshtimit të opozitës dhe të disa votave kundër. Folklorizmi patriotik fitoi në Kuvend. Realiteti politik e strategjik ndërkombëtar mori goditje të fortë. SHBA-ja dhe BE-ja presin edhe një rizgjidhje nga shteti ynë, që Gjykatën Speciale të mos e bëjë Këshilli i Sigurimit. Ultimatumi u dha më 27 qershor. Na takon neve zgjidhja. Zgjedhja mes realizmit politik dhe folklorizmit atdhetar, zgjedhja mes një vendimi të Kuvendit të Kosovës dhe një tjetri të Këshillit të Sigurimit, të hartuar e të parashtruar nga Rusia.
 

Exit mobile version