Telegrafi

Merret vendimi: Qeveria lehtëson masat anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për masat e reja anti-Covid, të cilat hyjnë në fuqi sot.

Për vazhdimin e lehtësimit gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht që synojnë kontrollimin e përhapjes së infeksionit, qeveria thotë se është bazuar në të dhënat e analizuara mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë thekson se gjendja epidemiologjike me COVID-19, në Kosovë është qëndrueshme.

Ndërkaq, bazuar në vendimin e qeverisë, nga sot lejohet mbajtja e dasmave, ahengjeve familjare e mbrëmjeve të maturës deri në orën 01:00.

Organizimi i tyre duhet të bëhet vetëm me kushtin që të shfrytëzohet vetëm 50 për qind e kapacitetit, e jo me më shumë se 300 persona.

Klubeve të natës do t’u lejohet muzika deri në orën 01:00. Atyre u lejohet lirimi i hapësirës deri në orën 01:45.

Ndërkaq shërbimeve të gastronomisë do t’u lejohet puna deri në orën 23 në ditët e punës, përveç të premtes e së shtunës kur lejohet deri në orën 00:00.

Sa i përket sportit, nëpër stadiume e hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30 për qind të kapacitetit.

Vendimin e plotë të Qeverisë mund ta lexoni KËTU./Telegrafi.