Site icon Telegrafi

Merreni “patriotizmin” dhe shkoni në dreq të mallkuar

Shqiptarët e Maqedonisë javën e kaluar u gëzuan. Me ta u gëzuan shqiptarët gjithandej, pasi vëllezërit e tyre të gjakut kishin arritur një marrëveshje. U gëzuan për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, ku numëroheshin pikat që as ishin menduar se mund të realizoheshin në shtetin më nacionalist në Ballkan. Kishte edhe xhelozi pasi, siç dihet, shqiptarët gjithandej nuk janë imunë ndaj përçarjeve dhe humbjes së toruas – atëherë kur nuk duhet.

Por, ende pa u bërë një javë, nisi të ndryshojë retorika e veprimit e partive që e nënshkruan deklaratën historike për shqiptarët e Maqedonisë. Disa ktheheshin tek platforma që e kishin prezantuar në fushatë, e të tjerët mburreshin nëpër emisione televizive se disa nga pikat e platformës qenkan propozim i partisë së tyre.

A nuk është e turpshme zotërinj, që me shumë egoizëm të flisni edhe përballë një deklarate që dha shpresë se politikanët e shitur dhe politikanët me fjalë boshe do të ishin e kaluara e këtij vendi. Të mjerët ju që mendoni se jeni të pazëvendësueshëm dhe të paprekshëm. Kujtojeni pak Partinë Demokratike Shqiptare dhe Partinë për Prosperitet Demokratik. Ku janë ata tani?

Deklarata që ju e nënshkruat nuk ishte ideale, por ishte shpresëdhënëse. Nuk i kishte të gjithë pikat e duhura, por i kishte nevojat që ju asnjëherë nuk i plotësuat për shqiptarët e Maqedonisë. Nuk kishte mbështetje të fuqishme për Prokurorinë Speciale Publike, por vetëm mbështetje deklarative. Pse kështu? Sepse nesër pushteti do t’ju marrë mendtë dhe ju do të jeni të ulur në bankën e të akuzuarit në seanca, në po këtë Prokurori Speciale Publike. Athua vallë, edhe Gjykata Speciale nuk u shkrua si pikë në këtë deklaratë për arsye të njëjtë?

As veteranët nga lufta e 2001-shit nuk ishin në atë deklaratë. Pse vallë? Sepse gjysma e tyre janë në burg e pjesët tjera në diasporë ose nëpër varre?

E tash, ndoshta keni harruar se nga vini!? Ju të nderuar vini nga votat e familjarëve që lidhen me atë luftë. E, pozita juaj si deputetë, e dini prej nga vjen? Vjen prej krizës politike që e nisi dikush tjetër, për të cilën ju nuk patët guxim as të mendoni.

E sot? Çka u bë sot? Dolët kundër njëri-tjetrit apo ky është paragjykim?!

Jo nuk është paragjykim po një ters që e nisët. Do të bëni koalicion me një ndër politikanët më të tmerrshëm në Evropë, apo jo? Kjo është çështja! Jo se ai tjetri është më i mirë, por ju, pikërisht ju na keni bërë të mendojmë që të gjejmë të keqen më të vogël në këtë shtet që duhej qëmoti të gjente rrugën e duhur e mos të mbetet vrima e zezë në Evropë, ku mbi të gjitha gjejnë vendstrehim kriminelët.

Ju kujtohet Subrata Roy? Ai ishte shpresa e Qeverisë, që ishit edhe ju! Ku është ai tani? Në burg, të nderuar! I ndaluar për keqpërdorime financiare dhe fshehje të tatimit. Edhe partnerët tuaj, njëjtë, kanë kompani fiktive nëpër parajsat tatimore. Ju kujtohet Belize? A e dini ku është? E dini, e dini…

E ju, nga BDI? Cilat ishin pikat që ju i kërkoni nga mandatari? NATO dhe BE? A po talleni apo çfarë? Gjuha shqipe thoni se është zyrtarizuar që nga viti 2013? A është zyrtarizuar gjuha shqipe? Po apo jo? Da ili ne? Pse duhet të zyrtarizohet një gjuhë dy herë?

Madje, ju nga BDI filluat me patriotizmin që e kemi dëgjuar edhe në vitin 2008, 2011, 2012 e 2014! Dhe, tani përsëri e përdorni taktikën e njëjtë. Pse mendoni se tallja do t’ju funksionojë? A nuk mësuat se këto tallje, arroganca dhe përbuzja ju kushtuan me 10 deputetë. Kush i ka fajet? Zoran Zaevi? Partitë e vogla që tani i lusni për t’jua shpëtuar jetën?

Thënë të drejtën, Prokuroria Speciale Publike do të vazhdojë të jetë rregullator i këtij sistemi të kalbur politik. E patët, apo jo – ju në listën e pikave që i quani ”vija të kuqe”! Sa herë i keni shlyer këto vija?

Shqiptarët – apo siç doni t’i quani, votuesit tuaj të përbetuar – duan ekonomi e jo kopalla. Duan shkolla, jo pallavra. Duan libra pa ofendime, jo premtime koti. Duan rrugë, jo të mbeten në rrugë. Duan rroga, jo të jenë rrogëtarë. Duan shëndetësi, jo qetësues për gjumë të ”rehatshëm”. Duan ekonomi, jo tallje. Duan kulturë, jo gënjeshtra. Duan të bëjnë jetë e jo të jetojnë për të pritur vdekjen. Duan fëmijë të arsimuar, jo fëmijë të manipuluar. Duan të ndjejnë se gjërat do të rregullohen për të mirë me ekonomi, e jo me patriotizëm koti. U ngopëm 15 vite me ju dhe 10 me tjerët.

Të vetvetes, pa ju, për të mirën tonë.

Exit mobile version